Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Telekomit të Kosovës për kredi me vlerë prej 15 milionë eurove.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.
“Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka thënë ai duke shtuar se Telekomi ka pasur nevojë për këtë kredi shtesë.
Qeveria në mbledhjen e së enjtes ka shtyrë disa projektligje të cilat ishin të planifikuara për këtë vit për shkak të numrit të madh të tyre.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal, ai për planifikim hapësinor, për harmonizim të ligjeve të veçanta me Ligjin për inspektimet dhe ai për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin për leje dhe licenca, janë projektligjet që u shtynë për vitin e ardhshëm.