3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Prokurorja thotë se nëse është parashkruar rasti i Naser Kelmendit nuk do të bëjë ankesë në Apel

Merita Bina-Rugova, prokurorja speciale në rastin e Naser Kelmendit, nuk ka qenë e sigurt nëse ky rast është parashkruar në gusht apo jo. Teksa ka thënë se nëse është parashkruar nuk do të ankohet ndaj vendimit të Apelit, i cili liron Kelmendin nga akuzat për trafikim me narkotik.

“Ka mundësi që është parashkru deri tash, ka qenë afati diku në gusht. Nëse u arrit parashkrimi absolut nuk ka mundësi kurrgjë me u bo”, ka thënë Bina-Rugova për Betimi për Drejtësi”.

Naser Kelmendi ishte dënuar nga shkalla e parë me 4 vite e 8 muaj burgim, ndërsa Apeli e ka liruar nga të gjitha akuzat.

Bina-Rugova, thotë se ende nuk e ka pranuar aktgjykimin e shkallës së dytë për çka nuk e di nëse ka vend për ushtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm.

“Provat nuk janë ku me dite çfarë, duhet me analizu a duhet mjete të jashtëzakonshme a jo”, ka thënë ajo.

Më 27 maj 2023, “Betimi për Drejtësi” solli hulumtimin “Shteti dështon të ndajë drejtësi për Naser Kelmendin të njohur si “Bossi i drogës“, ku tregohet se pse përkundër gjykimit maratonik, Naser Kelmendi rrezikonte të dalë i pagjykuar.

Sipas afateve të llogaritura nga “Betimi për Drejtësi”, vepra penale për të cilën ishte dënuar Kelmendi, në shkallë të parë, është paraparë me ligjin penal të Jugosllavisë të vitit 1977 i cili ligj ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Prodhimi dhe shitja” është e dënueshme nga 1 deri në dhjetë vjet. Në bazë të nenit 96 të këtij Ligji, afati i parashkrimit relativ është 10 vite, derisa afati i parashkrimit absolut është 20 vite.

Në bazë të datës kur supozohet të jetë kryer kjo vepër penale, atëherë i bie se afati i parashkrimit absolut të kësaj vepre penale arrinte në fund të muajit gusht të vitit 2023.

Sidoqoftë, Apeli arriti të merrte vendim në fund të gushtit 2023, ku edhe ka liruar nga akuza Kelmendin.

Fillimisht, në gjetjet e Apelit thuhet se pretendimet ankimore të Prokurorisë Speciale janë jo lëndore kurse pretendimet e avokatit Berisha janë të bazuara.

Apeli thekson se Gjykata Themelore në Prishtinë nga provat që ka administruar në shqyrtimet gjyqësore gabimisht ka ardhur në përfundim kur të akuzuarin e ka shpallur fajtorë për veprën penale për të cilën është akuzuar. Duke shtuar se nuk ka asnjë provë materiale.

“Nuk ka asnjë provë materiale, qoftë për automjetin me të cilin pretendohet se kishte shërbyer në transportin e substancave narkotike, qoftë për sasinë e substancave narkotike apo për llojin e substancave narkotike”, thuhet në vendimin e kolegjit të Apelit.

Kurse sa i përket dëshmitarëve, Apeli ka sqaruar se asnjëri nga dëshmitarët R.L, J.J, M.H, M.M, M.K dhe I.H, nuk kanë pohuar ndonjë rrethanë për faktet që ndërlidhen me kohën e kryerjes  së veprës penale të datës korrik/gusht 2003.

Sipas Apelit, dëshmia e dëshmitarëve të lartpërmendur më shumë ndërlidhet me njohjen që kishte dëshmitari K2 me të akuzuarin Naser Kelmendi sesa për faktet vendimtare që kanë të bëjnë me elementet e veprës penale me të cilën akuzohej Kelmendi.

“Në këtë këndvështrim kolegji ka parasysh se dëshmitarët e lartshënuar që kanë dëshmuar, kanë dëshmuar për faktet e ndërmjetme (pra për rrethana që tregojnë së dëshmitari K2 dhe i pandehuri N.K. kishin njohje ndërmjet tyre) por jo për faktet vendimtare që kanë të bëjnë me elementet e veprës penale për të cilën i pandehuri N.K. akuzohej nga prokuroria” thuhet tutje në vendim.

Lidhur më dëshminë e dëshmitarit  të mbrojtur K1, Apeli ka gjetur se dëshmia e tij është fokusuar në të thënat e dëshmitarit tjetër të mbrojtur K2 duke mos pohuar kështu asnjë rrethanë se kishte parë substanca narkotike në automjetit që pretendohet se janë bartur.

Apeli po ashtu ka sqaruar se lidhur me fletoren si provë materiale, fletore që flet për problemet e dëshmitarit K2 dhe Kelmendit nuk dihet se për cilën periudhën flasin ato shënime apo se ato shënime janë në kohë kur pretendohet se është kryer vepra penale nga Kelmendi.

Gjithashtu Apeli ka theksuar se asnjëri nga dëshmitarët R.L., J.J., M.H., M. M., M.K. dhe I.H nuk ka pohuar asnjë rrethanë lidhur me veprimet konkrete të Kelmendit se e kanë parë drejtpërdrejtë që  Kelmendi ka organizuar transportimin e substancave narkotike.

Veç tjerash, Apeli ka theksuar se dëshmia e dëshmitarëve bashkëpunues si të vetme nuk mund të shërbejnë për të vërtetuar fajësinë e Kelmendit, përkatësisht, gjykata nuk mund të shpall fajtor të akuzuarin duke u mbështetur në deklaratat e dëshmitarit bashkëpunues.

Sipas Apelit,  faktet në tërësi janë ndërtuar vetëm mbi deklarimin e dëshmitari të mbrojtur K2 dhe me asnjë provë tjetër qoftë materiale apo edhe personale.

Në vendimin e  Apelit, thuhet se nuk është gjetur konfiskim i sasisë narkotike, e që një konfiskim i tillë do të mund të llogaritje si provë thelbësore për të përcaktuar nëse substanca narkotike përbënë narkotikë të ndaluar ligjërisht.

Gjithashtu, shtohet se nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë provë qoftë dokumentare apo ekzaminim i veturës “PikAp” që e njëjta veturë ka kaluar nga Bonje dhe Hercegovinë për në Austrinë dhe se përmes tavanit të saj ishte transportuar substanca narkotike.

Sipas shkallës së dytë, konstatimi Themelores se përmes veturës “Pikap”, janë bartur 25 kilogram narkotik janë supozime pasi që as vet dëshmitar K2 nuk kishte deklaruar diçka të tillë.

Mbi këto arsye, Apeli thekson se Prokuroria Speciale nga provat që ka siguruar nuk ka arritur që të vërtetojë përtej dyshimit të bazuar mirë se Kelmendi ka kryer veprën penale “Prodhimi i paautorizuar dhe vënia ne qarkullim i narkotikeve”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për trafikim me narkotikë.

Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.

Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro. Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.

Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim,

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas Prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri më 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

Naser Kelmendi akuzohej se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko Bozic, Hakija Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatitën substanca, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img