Sot, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia priti në takim Dr.Assad Haffa, drejtori i ndihmave humanitare në “Federatën Botërore të Hemofilisë”, Mark Skinner, hulumtues, Dawn Rotellini, anëtare e Bordit “Federatën Botërore të Hemofilisë” dhe përfaqësuese e “Fondacionit Kombëtar i Hemofilisë”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Dr.Leonadro Valentino, hematolog dhe drejtor i “Fondacionit Kombëtar i Hemofilisë”, Donna Coffin, drejtoreshë e hulumtimeve në “Federatën Botërore të Hemofilisë”, Elmedina Kukaj – Nushi, drejtoreshe ekzekutive në “Fondacionin e Hemofilisë në Kosovë” dhe Ibrahim Svirca, anëtar.
Ministri Vitia ndaj të pranishmëve shprehi falënderim të veçantë për punën dhe angazhimin e palodhur për pacientët e prekur nga kjo sëmundje, si dhe për donacionet (terapive) për trajtimin e Hemofilisë A dhe B për pacientët të prekur në Kosovë. Gjithashtu, ai tha se pjesëmarrja e profesionistëve tanë shëndetësor në trajnime, punëtori, kongrese dhe konferenca të ndryshme duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për pacientët me sëmundjen e hemofilisë.
Fondacioni i Hemofilisë në Kosovë është anëtarësuar në “Federatën Botërore të Hemofilisë” që nga viti 2020. Nga viti 2018, Klinika e Hematologjisë dhe Pediatrisë pranon si donacione medikamantet për persona të prekur me Hemofili A (VIII) dhe B (XI).
Hemofilia është një çrregullim i gjakut, i cili nuk mpikset siç duhet, gjë që mund të çojë në gjakrrjedhje spontane, si dhe gjakrrjedhje pas lëndimeve/operacioneve.