7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

KDI: Vetëm 10% e qytetarëve mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime

Vetëm 10 për qind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime.

Kështu është bërë e ditur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili të martën ka mbajtur konferencë për media, ku janë prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, që pasqyrojnë këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi reformën në sistemin e drejtësisë.

Gjatë shpalosjes së të dhënave, Violeta Haxholli nga KDI, ka sqaruar se hulumtimi vë në pah këndvështrimin e qytetarëve rreth performancës së sektorit të drejtësisë, konkretisht punën e prokurorive dhe gjykatave. Pastaj, pritjet e qytetarëve për përmirësime në këtë sektor, institucionet përgjegjëse për reforma në këtë sektor si dhe mundësitë e qytetarëve për tu përfshirë në këtë reformë.

“Në pyetjen nëse qytetarët kanë parë përmirësime këtë vit në punën e prokurorive dhe gjykatave, qytetarët janë ndarë në dysh. Kështu, 44 për qind e qytetarëve mendojnë se deri diku ka pasur përmirësime në performancën e sektorit të drejtësisë, derisa 36 për qind mendojnë se nuk ka pasur fare përmirësim”, thuhet në komunikatën për media.

Në pyetjen e dytë qytetarët janë pyetur se kur presin që të ketë përmirësime në punën e sektorit të drejtësisë, konkretisht në punën e prokurorive dhe gjykatave. Lidhur me këtë, sipas KDI-së vetëm 8 për qind e qytetarëve presin përmirësime gjatë këtij viti. Shumica prej tyre, konkretisht 38 për qind, presin përmirësime gjatë 5 viteve të ardhshme dhe 31 për qind e tyre në 10 vitet e ardhshme.

Haxholli ka vijuar prezantimin e të dhënave me pyetjen e tretë që u është parashtruar qytetarëve lidhur me atë se kush mendojnë ata se e ka përgjegjësinë kryesore për të reformuar/përmirësuar sektorin e drejtësisë (prokuroritë dhe gjykatat).

“Në përqindjen më të lartë konkretisht 36 për qind, qytetarët janë të mendimit se përgjegjësinë kryesore për reformë në këtë sektor e kanë vet institucionet e drejtësisë, ndërsa si institucionin e dytë përgjegjës e kanë ranguar Qeverinë, me 34 për qind”, bëhet e ditur tutje.

Lidhur me atë se a janë të informuar qytetarët për mundësitë e tyre për të marrë pjesë në diskutime gjatë hartimit/shqyrtimit të projektligjeve për reformimin e sektorit të drejtësisë, në përqindje shumë të lartë, me 77 për qind, qytetarët janë shprehur se nuk janë të informuar. Vetëm 17 për qind e tyre janë shprehur se e kanë këtë informacion.

“Në fund, qytetarët janë pyetur edhe lidhur me preferencat e tyre për t’u përfshirë në procesin e shqyrtimit të projektligjeve të reformës në drejtësi. Lidhur me këtë çështje, 76 për qind e qytetarëve janë deklaruar se nuk preferojnë të përfshihen në këtë proces. Në anën tjetër 18 për qind e tyre janë shprehur se preferojnë të përfshihen përmes pjesëmarrjes në diskutime publike”.

Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1 mijë e 65 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 4 deri me 13 shtator të këtij viti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img