Gazetari gjerman i FAZ, Michael Martens, ka thënë se duhet të jesh shumë naiv për t’i besuar presidentit të Serbisë, Aleksnander Vucicit, kur thotë se s’ka ditur asgjë për sulmin terrorist në veri të Republikës së Kosovës, shkruan Express.
Martens thotë se edhe nëse Vuçiq s’do të ishte i informuar për një veprim të tillë konkret, strategjia e armatimit të paraushtarakëve është e Vuçiqit. Martens thotë se Vuçiqit një gjë e tillë i kujtohet nga vitet e 90-ta.
“ Kur presidenti serb Aleksandër Vuçiq tani pohon se nuk dinte asgjë për këtë, duhet të jesh shumë naiv për ta besuar. Sepse edhe nëse ai mund të mos ishte i informuar për këtë veprim konkret, strategjia e armatimit të paraushtarakëve është e tij. Ai e kujton këtë nga vitet ’90.”, ka shkruar Martens, raporton Express.
Gazetari gjerman tutje ka thënë se Vuçiq zbaton metodën e mësuesve të tij Millosheviq e Putin, që dhuna promovohet sistematikisht por përmes nënkontraktorëve. Dhe në të njëjtën kohë, Martens thotë se Vuçiq shfaqet i shqetësuar në skenën evropiane dhe i gatshëm për bisedime e negociata.