6.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Biden intesifikon sulmet ndaj Trump, bën kritikën më të fortë deri më tani

Presidenti amerikan Joe Biden intensifikoi të enjten sulmet ndaj ish-Presidentit Donald Trump, duke bërë deklaratën e fortë se ish-presidenti dhe kandidati kryesues republikan përbën një rrezik ekzistencial për vlerat dhe institucionet demokratike të vendit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton.

Është kritika më e fortë deri më tani nga Presidenti Joe Biden drejtuar pararendësit të tij, Donald Trump, me të cilin duket se do të përballet sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

“Trump-i thotë se Kushtetuta i jep, sipas tij, të drejtën të bëjë çfarë të dojë si president. Nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë president ta thotë këtë qoftë edhe si me shaka. Nuk udhëhiqet nga Kushtetuta, apo shërbimi i përbashkët dhe respekti për bashkëqytetarët tanë amerikanë, por nga hakmarrja dhe shpagimi”, tha Presidenti Biden.

Megjithë katër procese gjyqësore, zoti Trump vazhdon të jetë kandidati kryesues për votimin paraprak brenda Partisë Republikane.

“Fakti është se po shqetësohem ngaqë patëm një anketim këtë javë me shifra shumë të larta. Dhe thashë, ‘ja ku po vijnë akuza të tjera tani’. Çdo herë që dalin anketimet, mua më ngrenë akuza”, tha ish-Presidenti Trump.

Ky ishte fjalimi i katërt i Presidentit Biden ku theksohet rreziku i mohimit të zgjedhjeve dhe dhunës politike që rrezikon vendin, që kur mijëra mbështetës të ish-Presidentit Trump sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021, me synim përmbysjen e fitores në zgjedhje të Presidentit Biden.

“Është një çështje për të cilën baza e tij, demokratët, janë tepër të interesuar. Është mënyra për të shënuar një vijë dalluese tepër të dukshme mes tij dhe rivalit të pritshëm, Donald Trump-it. Dhe mendoj se në thelb i dha Biden-it diçka pozitive për të folur, për vetë historikun e tij, për të balancuar kështu çështjen e ekonomisë, me të cilën deri më tani ka historik të përzier”, thotë Chris Jackson, nga firma e anketimeve “Ipsos”.

Përgjithësisht për shkak të shqetësimeve të amerikanëve për mënyrën se si Presidenti Biden ka menaxhuar ekonominë, anketime të ndryshme tregojnë se niveli i mbështetjes për të ka mbetur nën 50% që nga gushti 2021.

Presidenti Biden po përballet gjithashtu edhe me hetime nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve që synojnë shkarkimin e tij, bazuar në akuzat për korrupsion në lidhje me aktivitetin sipërmarrës të djalit të tij. Shtëpia e Bardhë mohon të ketë patur shkelje dhe e konsideron hetimin të motivuar politikisht./VOA/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img