2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

KPK-ja nuk e shkarkon Bekën, hidhet poshtë propozimi i komisionit parlamentar

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka quajtur të ngutshme dhe tendencioze pretendimet e Komisionit për Legjislacion, ku është kërkuar shkarkimi i anëtarit jo-prokuror të KPK-së, Agron Beka.

Kësisoj, KPK-ja ka vendosur për të mos e shkarkuar Bekën nga pozita e anëtarit të këshillit.

Në takimin e mbajtur sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, anëtari Beka ka paraqitur faktet duke rrëzuar pretendimet e Komisionit për Legjislacion.

Sipas KPK-së, Komisioni për Legjislacion ka marrë veprime të ngutshme, duke mos shqyrtuar provat, para se ta akuzojnë anëtarin e tyre.

Në njoftimin e KPK-së thuhet se Agron Beka ka paraqitur fakte voluminoze duke demantuar të gjitha pretendimet e Komisionit për Legjislacion.

“Anëtari i KPK-së, Agron Beka, i ofroi sot në takimin e jashtëzakonshëm (me vëllim voluminoz), të cilat demantojnë plotësisht të gjitha pretendimet e potencuara nga iniciatorët në Komisionin për Legjislacion, për shkarkimin e anëtarit joprokuror të KPK-së.

Në mesin e shumë provave voluminoze që ofroi z.Beka ishin edhe disa dëshmi të komunikimit zyrtar me zyrtarët e lartë dhe kompetentë në institucione të rëndësishme shtetërore, të cilët, paraprakisht, ka më shumë se një vit që janë njoftuar mbi keqpërdorimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, e të cilët deri sot e kësaj dite nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i parandaluar pasojat negative evidente, përkundrazi, mosveprimi i tyre ka shkaktuar krijimin e situatave për inicimin e procedurave në organet e sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas KPK-së, këto prova janë të mjaftueshme për të demantuar akuzat nga Komisioni për Legjislacion, ndërsa tentimin e tyre për shkarkimin e anëtari jo-prokuror e kanë quajtur “tendencë të hapur politike për të ndërhyrë në funksionimin e rregullt dhe cenimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.

“Lidhur me shkeljet e pretenduara nga Komisioni, KPK-ja, njofton opinionin e gjerë publik se, në rastin konkret nuk ka asnjë shkelje të dispozitave të Kushtetutës, Ligjit të KPK-së dhe të akteve tjera nënligjore, por hipotetikisht, edhe po që se do të kishte shkelje, qoftë edhe në të ardhmen nga ndonjë anëtar i KPK-së, organi apo institucioni i vetëm kompetent (në bazë të legjislacionit në fuqi) për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij, si institucion kushtetues dhe i pavarur.

Andaj, në përfundim të takimit të sotëm të jashtëzakonshëm, u theksua se veprimet e tilla të Komisionit për Legjislacion paraqesin tendencë të hapur politike për të ndërhyrë në funksionimin e rregullt dhe cenimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Komisionit për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje ka marrë vendim që t’i rekomandohet shkarkimi i Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Propozimin për këtë rekomandim e prezantoi kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, i cili ndër të tjera pretendoi se Agron Beka, ka shkelur kodin e etikës dhe ka cenuar rëndë integritetin e pozitës së anëtarit të KPK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img