Afaristi shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka shkuar për ngushëllime te familja e heroit Afrim Bunjaku, shkruan Gazetademos.
Ai poashtu ka vizituar varrin e policit të ndjerë.
“Kjo që ndodhi në Kosovë është e papranueshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë pa asnjë ekuivok sulmin terrorist serb. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për këtë sulm. NATO duhet të angazhohet që të mos ketë më shkelje të tilla të territorit të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Pata nderin që t’i shpreh ngushëllimet familjes së dëshmorit më të ri të Kosovës, Afrim Bunjakut, si dhe ta nderoja pranë varrin e tij.
Isha i shoqëruar nga një numër miqsh e personalitetesh si Ilaz Ramajli, kryetar i Kuvendit të Kosovës ë vitet e 1990-a, Ambasador Bekim Sejdiu, ish-Anëtar i Gjykatës Kushtetuese (Përfaqësues i Kosovës në New York e Turqi), Shaip Mikullovci dhe Ylber Kuraja (partnerët e American Retail Park në Pejë) si dhe djali i im, Florim Bajraktari.
Kjo që ndodhi në Kosovë është e papranueshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta dënojë pa asnjë ekuivok sulmin terrorist serb. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për këtë sulm. NATO duhet të angazhohet që të mos ketë më shkelje të tilla të territorit të Kosovës.
Na japin krenari djemtë dhe vajzat e Policisë së Kosovës si dhe të gjithë trimat e angazhuar në forcat tona të armatosura e të shërbimit që mbrojnë me guxim e ndershmëri rendin dhe sigurinë e popullit të Kosovës. Sakrifica e tyre meriton nderim.
Afrim Bunjaku do të rrojë gjithmonë në memorien e kombit shqiptar.
Zoti e bekoftë shpirtin e tij!