Këshilli i NATO-s është mbledhur sot për të diskutuar për situatën në Kosovë.
Në një deklaratë për media, Sekretari Gjeneral i NATO-së, Jens Stoltenberg u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rikthehen në tavolinën e negociatave në Bruksel.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë situatën. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në deklaratën e Stoltenberg.
Në deklaratë thuhet se misioni i KFOR-it ka një prezencë të dukshme në mbarë Kosovën.
“Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurojmë lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në deklaratë.
Stoltenberg ka deklaruar se NATO është e gatshme të rrisë praninë e trupave të KFOR-it nëse shfaqet nevoja për këtë.
“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”, ka thënë Sekretari Gjeneral i NATO-s.