Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e qetë dhe pa ndonjë incident.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai theksoi se për momentin ka mjaftueshëm forca të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Çdo gjë është qetë, nuk ka pasur ndonjë incident. Kemi forca të mjaftueshme policore”, ka thënë shkurt Elshani.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë arrestim tjetër që lidhet me sulmin terrorist të së dielës, Elshani tha se nuk pasur arrestime të reja.
Ndryshe, në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.
Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.
Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë, tetë u arrestuan e më pas katër prej tyre u liruan të mërkurën në mungesë të provave.
Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan.