Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia e ka për detyrë t’i dorëzojë kriminelët serbë që sulmuan në veri, por po e bën krejt të kundërtën – po i përkrahë ata për sulme të reja.
Ai i ka bërë thirrje ShBA-së dhe BE-së që t’i sjellin kriminelët para drejtësisë, ndërsa institucioneve vendëse që të jenë të bashkuara dhe vigjilente, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së AAK-së, Haradinaj ka thënë se rreziku për sulme të reja është ende prezent.
“Kosova është përballur më një sulm terrorist, ndërsa sponsor i këtij sulmi është Serbia. Duke e pasur parasysh armatimin e madh, Kosova ka dalë e suksesshme, ia ka dalë. Por, mendoj që nuk përfundon asgjë me këtë fitore”, u shpreh ish-kryeministri.
“Të gjitha palët ta rrisin vigjilencën për shkak që rreziku është ende prezent për sulme të reja”.
“Serbia e ka detyrë edhe në bazë të ligjeve të veta me i dorëzu terroristët, por edhe po i përkrah ma tutje, për me vepru prapë”.
“Bashkësia ndërkombëtare i ka institucionin e veta, prandaj bëj apel nga Bashkimi Evropian që këta kriminelë të dalin para drejtësisë.”
“Bëj apel te të gjithë që ta rrisim vigjilencë, te Qeveria e Kosovës, te kryeministri, të bashkohemi për t’u mbrojtur nga sulmet terroriste. Por në këtë bashkim duhet të jetë edhe Amerika, nuk guxojmë të veprojmë ndaras”.
Sipas Haradinajt, sulmi i të dielës tregoi se institucionet e Kosovës duhet ta ndërrojnë “kursin” që të mos koordinohen me ShBA-në dhe aleatët e tjerë.