Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe shpallja e ditës së zisë kombëtare nga Serbia janë veprime të pajustifikueshme, të papranueshme dhe duhen dënuar.
Rama, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të dënojë ditën e zisë të shpallur nga Serbia për vdekjen e tre terroristëve që morën pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën. Sipas tij, ky veprim nga Serbia është sinjali më i keq që mund të jepte për rajonin dhe tërë Evropën.
Në konferencë për medie nga Roma, Rama tha se e kanë të pamundur të mbështesin deklaratën e parë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, pa pasur një deklaratë të dytë ku dënohen veprimet e Serbisë
“Ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Evropian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo evropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Evropën. Kemi kërkuar që Bashkimi Evropian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd. Deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Evropian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë”, theksoi Rama.
Megjithëse tha se në parim nuk i heqin asnjë presje të gjithë kërkesave të Bashkimit Evropian për Kosovën në raport me dialogun.
“Ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Evropian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Evropian dhe e komunitetit euroatlantik. Por, ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, tha Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, tha se dënojnë aktet e dhunës në veri të Kosovës.
Ai madje përmendi si mundësi që Italia të shtojë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it që të shmangen incidente dhe viktima të reja në veri.