Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se sulmi i të dielës në Banjskë ka dëshmuar për rrezikun, qëllimin dhe potencialin e grupeve kriminale e terroriste serbe në veri.
Ai ka thënë se në Banjskë u konfiskua sasi e armatimit me vlerë mbi 5 milionë euro.
Kurti ka thënë se të dielën u cenua sovraniteti i shtetit, integriteti dhe siguria kombëtare.
Ai u ka propozuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të falënderojnë policinë e Kosovës kudo që t’i takojnë.
“Përballë kësaj u dëshmua profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i plotë për ta mbrojtur Republikën. Është suksesi më i madh që nga shpallja e pavarësisë, sukses që na bën krenar të gjithëve. Andaj sot ju ftoj të gjithëve këtu, gjithë qytetarët e Kosovës, të falënderojnë policinë në uniformë kudo dhe kurdo që i shohin”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu ka thënë se sulmi ka shfaqur nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtarë në mbrojtjen e kontrollin e kufirit me Serbinë.
“E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuthë të qartë e të çërveçme e kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ai ka thënë se pas dokumentimit për pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në sulmin në Banjskë, është vërtetuar edhe se është jetike ringjallja e pluralizimit politik për serbët e Kosovës.
“Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm”, ka thënë Kurti.