Këshilltari diplomatik i Italisë, Francesko M.Talo, ka thënë se ka pasur diskutime të shkëlqyera mbrëmë me Emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Emisarin e ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe kryekëshiltarët diplomatikë nga Gjermania e Franca, Emmanuel Bonne, Jens Plötner. Ky takim u mbajtë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist.
Talo ka thënë se dialogu i lehtësuar nga BE’ja është rruga e vetme përpara për Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet, derisa ka shprehur mbështetje për Lajçak, raporton Express.
“Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme përpara për Serbinë dhe Kosovën që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të lëvizin në rrugën e tyre evropiane. Ne qëndrojmë pas Emisarit të BE’së, Lajçak. Kisha diskutime të shkëlqyera në Bruksel me të dhe kolegët nga Franca, Gjermania dhe ShBA’ja”, ka shkruar Talo.
Për këtë takim ka reaguar sot në mëngjes edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, tregon nevojën urgjente për të vazhduar dialogun dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit tani.
“Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit tani”, ka shkruar Rohde.
Në këtë takim urgjent, Lajçak tha është biseduar për hapat e mëtutjeshëm të zbatimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar.
”Konsultime intensive dhe shumë thelbësore me kryekëshilltarët diplomatikë Bonne, Plötner, Talo dhe DAS Escobar. Diskutuam hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës. Faleminderit për mbështetjen e plotë”, ka shkruar Lajçak në Tëitter.
Në Veriun e Kosovës situata është e tensionuar, pasi të dielën një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.