Policia e Kosovës ka konfirmuar se njëri nga sulmuesit në Veri është vrarë.
Në një njoftim në media, Policia tha se situata në Veri, e konkretisht në zonën e fshatit Banjska, po vazhdon të jetë e tensionuar.
Sipas PK-së, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, “të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”.
“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, tha Policia.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve
kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu
kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga
sulmuesit është vrarë”.
“Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë”, thuhet tutje.
“Bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit”.