Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në pjesën veriore të vendit.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se në kamion ishin të ngarkuar 3600 kg speca, të cilët ishin të kontrabanduar
“Patrullat policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare –Veriu, gjatë realizimit të detyrave dhe aktiviteteve të tyre në brezin kufitar në pjesën veriore të vendit, më 22.09.2023 rrethe orës 22:15, në fshatin Bistricë të Leposaviqit, kanë ndaluar një kamion me targa të Serbisë. Gjatë kontrollit policia ka vërejtur se në kamion ishin të ngarkuar një sasi e mallit (speca) me peshë rreth 3600 kg, e që dyshohej të jetë kontrabanduar”, bëhet e ditur në njoftim.
Policia bën të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe i cili ka autorizuar inicimin e rastit ‘kontrabandim me mall’.
“Malli dhe automjeti janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor”, shton tutje Policia.
Në komunikatën e bërë nga Policia thuhet se rasti do të vazhdojë të trajtohet nga Njësia Rajonale e Hetimeve të Drejtorisë Rajonale e Policisë Kufitare-Veriu.