I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Escobar tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian (BE) e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.
Kurti më pas deklaroi se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”.
Esobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët “të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së”.