Pas afro 20 vjetëve, Remzi Ejupi është larguar nga FC Prishtina dhe futbolli kosovar.
Ejupi i ka shitur aksionet e tij te aksionari tjetër Rrahman Haradini, i cili tani është aksionar absolut në klubin bardh e kaltër dhe e ka marrë mbi supet e tij një klub me histori të pasur e shumë të lavdishme. Kurse, Remzi Ejupi zyrtarisht u shpall “President Nderi” nga FC Prishtina.
Por, kush ishte Remzi Ejupi në FC Prishtinë dhe në futbollin e Kosovës?
Remzi Ejupi i ishte futur botës së futbollit në vitin 2004.
Pak vite pas luftës në Kosovë, biznesmeni kosovar, si një entuziast dhe pasionant i madh i futbollit, e kishte marrë në dorë klubin më të madh kosovar – FC Prishtina.
Ejupi me bashkëpunëtorë e kishin shndërruar klubin e FC Prishtinës në shoqëri aksionare, duke e thyer kështu akullin në këtë drejtim.
Por, ata as që ia kishin idenë se në çfarë ujërash ishin futur pasi në vijim u përballën me probleme të ndryshme dhe rrugëtimi ishte me plot pengesa dhe sfida.
Ndonëse futbolli kosovar ishte i izoluar totalisht, Ejupi mundohej që të gjente kanale të reja për të depërtuar, për t’i treguar Evropës dhe botës se edhe në Kosovë luhet futboll, se edhe në vendin e tij të zemrës kishte rini të shëndoshë dhe me përplot talent.
E rrugëtimit të tij 20 vjeçar dalëngadalë po i vjen fundi pasi përballoi me sukses “stuhi” të ndryshme që iu shfaqën në këto dy dekada.
Ejupi kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të klubit FC Prishtina para afro një viti, ndërsa tash ka vendosur t’i shesë edhe aksionet, për t’u larguar përfundimisht nga klubi.
Me këtë rast, futbolli kosovar po mbetet pa njërin prej njerëzve që nuk kurseu asgjë nga vetja, duke dhënë shumë e duke mos marrë madje asgjë.
Por, kush është në të vërtetë Remzi Ejupi?
Biznesmeni nga Kosova, që merret kryesisht me kompani të linjave ajrore, ishte futur në botën e futbollit me plot vullnet dhe dëshirë për ta ngritur klubin kryeqytetas, por edhe futbollin në përgjithësi.
Atij as që i kishte shkuar në mendje që futbolli kosovar do të mbetej aq gjatë një “geto” dhe se pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA do të ndodhte vetëm 12 vjet pasi e mori në dorë FC Prishtinën, pra në vitin 2016.
Gjatë kësaj periudhe, Ejupi nuk ka ndenjur, natyrisht.
Para pavarësisë së shtetit të Kosovës, ishte i vetmi që me klubin Bardhekaltër sadopak i thyenin barrierat duke iu siguruar prishtinasve ndeshje miqësore ndërkombëtare me skuadra zvicerane, në atë kohë një tabu e madhe.
Ndërkohë, Remzi Ejupi i shfrytëzonte të gjitha rrugët për t’u takuar me njerëz të rëndësishëm të futbollit, deri tek presidenti i atëhershëm i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili në atë kohë i shmangej çështjes së Kosovës.
E në vitet e fundit ka pasur takim edhe me presidentin aktual të FIFA-s, Gianni Infantino,
Për ta gëzuar sadopak popullin e tij të përvuajtur dhe të bllokuar në të katër anët, Ejupi i kishte sjell në stadiumin e qytetit në atë kohë, sot “Fadil Vokrri”, yjet e diasporës që po luanin kryesisht për shtete tjera.
Edhe pse luanin për Kombëtaret tjera, Ejupi u bënte dhurata me simbole kombëtare shqiptare, për të mos i harruar rrënjët e tyre dhe duke kërkuar nga ta që kur Kosova të pranohej në UEFA e FIFA, të vinin për ta përfaqësuar vendin e tyre të origjinës.
Ejupi me FC Prishtinën ishte i pari që e kishte nisur kërkesën për mbrojtjen e kartonëve të futbollistëve, të cilët deri në atë kohë merreshin si “klandestinë” nga klubet evropiane dhe klubi prishtinas ishte i pari pasluftës që kishte nisur të fitonte sadopak nga shitja e futbollistëve, siç ishte rasti i Shqipron Skerajt, Visar Berishës etj,. Sot duket përtej imagjinatës, por këtë kishte arritur ta bëjë përmes misionit të Kombeve të Bashkuara që e administronte Kosovën, UNMIK-ut.
Gjithashtu, Remzi Ejupi do të mbahet në mend gjithmonë për kontributin e jashtëzakonshëm që e kishte dhënë për ta jetësuar Ligjin e Sponsorizimit.
Ai e kishte marrë për model Gjermaninë, duke i dërguar përfaqësuesit e Komitetit Olimpik dhe të Ministrisë së Sportit në Gjermani, në mënyrë që ta shohin nga afër se si funksionon ky Ligj, i cili konsiderohet si shpëtim për sportin kosovar. Sot burimi kryesor dhe më madhor financiar në futbollin dhe sportin kosovar është pikërisht ky ligj të cilin Kosova tashmë e ka, por shtete tjera ende nuk e kanë, siç bie fjala te Shqipëria që e lakmon këtë ligj të zbatueshëm në Kosovë.
Ejupi është njohur gjithmonë si një opozitë e fortë dhe e shëndoshë e Federatës së Futbollit të Kosovës, duke qenë gjithnjë i zëshëm karshi padrejtësive dhe parregullsive.
Edhe pse asnjëherë nuk ishte zyrtarisht në garë për president të FFK-së, shpesh është lakuar emri i tij si kandidati i për ta drejtuar shtëpinë e futbollit kosovar.
20 vjet ishte në futboll, por kur nuk shihej në tunelet e stadiumeve për t’u bërë presion gjyqtarëve e zyrtarëve të ndeshje, siç bënin shumë të tjerët zakonshëm në futbollin kosovar.
Deri para tri vitesh asnjëherë nuk ishte në procedura disiplinore të federatës, ndërsa para tri vjetësh u dënua me një vjet nga FFK-ja shkaku i deklarimeve kritike në media për FFK-në, por jo për trukime, kërcënime, shantazhime, e fenomenet tjera.
Ejupi është mjaft i respektuar dhe i nderuar edhe në Shqipëri.
Vitin e kaluar, ai ishte nderuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit”.
Ejupi kishte dhe ka raporte të shkëlqyeshme edhe me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Në të kaluarën, ishte edhe sponsor në Kombëtaren shqiptare, të cilën po ashtu e ka përcjellë dhe mbështetur gjithmonë, sidomos vite më parë kur futbolli shqiptar ishte në nivel dukshëm më të ulët sesa sot.
Ejupi njëherësh konsiderohet si presidenti më i suksesshëm në histori të futbollit kosovar.
Nën drejtimin e tij, FC Prishtina i ka fituar 16 trofe: 5 tituj të kampionit, 5 Kupa dhe 6 Superkupa
Ejupi po e lë FC Prishtinën si gjigantin më të madh kosovar, në të cilin klub emri i tij, menjëherë u zyrtarizuar si “President Nderi i FC Prishtinës”.
Me biznesmenin kosovar në krye, prishtinasit e shijuan edhe daljen në Evropë duke marrë pjesë disa herë në garat që i organizon UEFA, më saktësisht në Europa League.
Krejt këto, Ejupi i arriti prej vullnetit, dëshirës dhe dashurisë së madhe të futbollit, duke shpenzuar madje miliona euro nga xhepi i tij, duke i sfiduar “stuhitë” e ndryshme brenda dhe jashtë klubit, ndërsa u përball edhe me mungesat elementare, siç është rasti i viteve të fundit ai i stadiumit.