2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

“Testi” i parë për programin e LDK’së, Rrahman Jasharaj flet për premtimet në arsim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar programin qeverisës “Rruga e Re”, ku përfshihen 100 zotime. Në fushën e arsimit ato përfshijnë: mbajtjen e një provimi kombëtar për mësimdhënësit e ri, klasë me 20 nxënës, mësim tërëditor në tri komuna, futjen e arsimimit ushtarak si lëndë obligative për klasën e 11’të dhe 12-të, 100 përqind shkollë digjitale, si dhe smart klasa. Por, si i kanë pritur këto ide në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit? Rrahman Jashari flet për Gazetën Express

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdxhiku, ka prezantuar 100 zotimet e përfshira në “Rrugën e Re”.

Për premtimet e LDK’së, në fushën e arsimit, ka folur Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Një prej zotimeve që është pjesë e programit të LDK’së, është edhe mbajtja e një provimi kombëtar për mësimdhënësit e rinj. Sipas Rrahmanit, mbajtja e një provimi të tillë është e rregulluar edhe me ligj, por që asnjëherë s’është mbajtur.

“Testi kombëtar është i paraparë edhe me ligj për profesionet e caktuara, ku bën pjesë edhe profesioni i mësuesisë. Nuk është fjala për ata që kanë përvojë pune, pra që janë në sistemin arsimor me vite, pra për ta nuk parashihet. Pra, ky ligj përcakton se pas një viti pune në sektorin e arsimit, kolegët që e zgjedhin këtë profesion dhe janë shkolluar për këtë profesion, parashihet një provim shtetëror, i cili deri tani nuk është aplikuar”, ka deklaruar Jasharaj për Express.

Ai e ka mbështetur mbajtjen e një provimi të tillë, por është shprehur kategorikisht kundër që një provim i tillë të mbahet për mësimdhënësit që kanë përvojë pune.

Ai thotë se kanë insistuar që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit, që do t’i mbikëqyrnin mësimdhënësit dhe do t’i ndihmonin t’i tejkalonin dobësitë, por jo test me shkrim.

“Ky ligj nuk është praktikuar asnjëherë deri tani dhe këtu dallon sepse ne e kemi thënë disa herë se tjetër është testi me shkrim për punëtorët e arsimit që janë në sektorin e arsimit, ne e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë sepse është degradues…Pra jemi për mbikëqyrje, jemi për ndihmë, jemi për një vëzhgim pozitiv të inspektorëve profesionalë ndaj punëtorëve të arsimit, por jo për test me shkrim për njohuritë e tyre. Tjetër është rasti i provimit shtetëror që veç është i paraparë me ligj”, ka thënë Jashari.

Zotim tjetër i LDK’së është edhe që nëpër klasë të jenë nga 20 nxënës. Kjo është mirëpritur nga Jashari, i cili ka thënë se përkrahin çdo subjekt politik që ka ide të mira për arsimin.

Ai ka marrë shembull shkollat në Fushë Kosovë, në të cilat ka thënë se ka mbingarkesë.

Sipas tij, numri më i vogël i nxënësve nëpër klasë, do të ndikonte që personeli mësimor të angazhohej më shumë me nxënësit.

“Nga ana tjetër për klasët, ne e përkrahim çdo subjekt politik i cili ka ide të mira e pozitive, pavarësisht cila është, për arsimin. A është e rrugës që klasët numerikisht t’i kemi në numër më të vogël ngase ju jepet mundësia më e madhe personelit arsimor që të punojmë me ta, e jo të ndodhë bie fjala siç e kemi rastin në Fushë Kosovë, një mbingarkim në numër i nxënësve. Lexova nga mediat që atje në shkollën “Mihal Grameno”, paska edhe paralele ku nxënësit duhet ta ndajnë karrigen. Vetë fakti që është një gjendje e tillë, është e pamundur që kolegët e mi të japin gjithë maksimumin. Për klasa ndoshta duhet të kemi numër më të vogël të nxënësve nëpër klasë. Por, i mbetet Qeverisë, iu mbetet institucioneve që të vendosin”, ka thënë Jashari.

Por, e ka kundërshtuar planin për mësim tërëditor në tri komuna. Sipas tij, me kushtet e tanishme diçka e tillë është e pamundur.

“Mësimin tërëditor ne e kemi kundërshtuar me argumente sepse ka pas përpjekje të tilla, bie fjala para disa vitesh Prishtina që e bëri një provë e tillë, por që doli jo e qëlluar. Pse jemi kundër mësimit tërëditor ne SBASHK’u dhe të tjerët, janë rrethanat në të cilat zhvillohet mësimi tani për tani.  Mësimi tërëditor është i pamundur ngase në shkollë duhet të ketë edhe objekte përcjellëse, edhe ambient krejt tjetër, e madje duhet të ketë edhe kuzhina shkollore. Të mbahen nxënësit tërë ditën në objektet që i kemi tani është e pamundur, ngase do t’ju bëhet ambienti jo i këndshëm nxënësve”, ka deklaruar Jasharaj për Express.

Premtim tjetër i LDK’së është edhe futja e arsimit ushtarak si lëndë obligative për klasën e 11’të dhe 12’të. Për këtë çështje, Jasharaj thotë se nuk kanë diskutuar ende në SBASHK.

Sipas tij, për këtë fjalën e fundit duhet ta thonë ekspertët e arsimit.

“Nuk e kemi analizuar ende në tërësi, propozimin e LDK’së. Sa i takon lëndëve mësimore, konsideroj se më tepër duhet ta thonë fjalën e tyre ekspertët e arsimit, Mirë do të ishte që t’i përgatisim nxënësit për çdo situatë, por nuk kam ndonjë qëndrim të SBASHK’ut për këtë, ngase nuk është diskutuar asnjëherë”, ka thënë Jasharaj.

Në fund, ai ka dhënë një këshillë për partitë politike.

“Pastaj po them, çfarë do të duhej të bënte secili subjekt politik që pretendon në të ardhmen të garojë për të udhëhequr shtetin tonë, duhet të fillimisht të angazhohet që shkollat tona t’i kemi të shekullit XXI, e kam fjalën që shpuza, shkumësi dhe tekstet shkollore të mos jenë armët e vetme, po e them në mënyrë figurative, por të kemi edhe llaptopë e projektorë. Pastaj të shohim a mund të bëjmë mësimin tërëditor”, ka deklaruar Jasharaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img