Kompania sllovake AeroMobil është një prodhues i vogël i cili pretendon të hyjë në industrinë e veturave fluturuese në të ardhmen.
Vitin e kaluar AeroMobil ka prezantuar disa koncepte unike, por ende nuk ka filluar fazën komerciale, transmeton Koha.net. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë së shpejti sepse kompania do të prezantojë konceptin e veturës së saj të re fluturuese në panairin Top Marques në Monaco, i cili do të fillojë nga 20 prilli.
AeroMobil ka përgatitur qindra përmirësime për konceptin e saj të quajtur 3.0, i cili është prezantuar në vitin 2014. Këto përmirësime, më shumë kanë të bëjnë me dizajn dhe inxhinieri.
Informacionet teknike ende nuk janë publikuar, por dihet se koncepti 3.0 ka mundur të transportojë dy persona si dhe ka pasur motor Rotax 912 me katër cilindra e kapacitet prej 100 kuajfuqi, si dhe me sistemin e ftohjes me ajër. Ky motor, i mundësoi konceptit 3.0 që shpejtësinë maksimale në rrugë ta arrijë deri në 160 kilometra në orë, ndërsa atë ajrore deri në 200 km/h.
Shpenzimet e karburantit i ka 8 litra në 100 km në rrugë, ndërsa 15 litra në orë në ajër. Koncepti 3.0 në rrugë ka udhëtuar rreth 857 kilometra, ndërsa në ajër rreth 700 km.
AeroMobil vlerëson se porositë e para të konceptit të saj të përmirësuar pritet të fillojnë më së largu vitin e ardhshëm.