Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se ideja për mocion tashmë ka marrë formë konkrete si një angazhim i opozitës në Kosovë
Kreu i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, në intervistën në RTK ka thënë se në dhjetor dhe janar ka pasur komunikime dhe ishin bërë plane që sivjet të kryhej çështja e ushtrisë. “Por z. Thaçi nga frika që po bëhemi të gjithë bashkë dul vet dhe e prishi krejt projektin. Ai dul vet dhe e pamë përfundimin e inisiativës”, ka thënë ai.
Limaj tha se ushtria ishte përgatitur të kryhej gjatë këtij viti dhe do të përmbyllet gjatë këtij viti. Ai ka thënë se asnjë komunitet në Kosovë nuk ka të drejtë dhe nuk mundet ta bllokojë krijimin e ushtrisë.
Komuniteti serb, sipas tij, e ka të drjetën e vetos dhe pa pëlqimin e tyre nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese në lidhje me të drejtat e tyre të rezervuara.
“Së pari duhet të shtjerren bisedat dhe nëse vijmë në një pikë ku serbët me direktiva të Beogradit nuk pranojnë dhe nuk kanë vullnet dhe tentojnë të bëhen bllokues atëherë është e drejta jonë me ecë dhe me ndryshu kushtetutën edhe pa pjesmarrjen e serbëve”, tha ai, duke shtuar se serbët nuk kanë instrumente bllokues për krijimin e ushtrisë.
“Projekti duhet të fillohet nga e para dhe Kosova jam i bindur se me qeverisjen e re do ta formojë për tre muaj ushtrinë”, tha ai.
Limaj tha se nuk ka asnjë dilemë që do të bëhet një freskim edhe pse ai thotë se as opozita nuk do të bëj mrekulli.
“Por, tani për tani ka vetëm një rrugë – zgjedhjet dhe fitorja e opozitës”, ka shtuar ai. Limaj ka thënë se Qeveria nuk ka asnjë rezultat.
Limaj tha se zgjedhjet e vitit 2010 janë fituar me premtimin e liberalizimit sikurse edhe zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2014 janë fituar me të njejtin premtim.
“Përgjegjësinë për mos liberalizimin e vizave janë këta njerëz. Prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje. Sepse këta njerëz janë përgjegjës për gjitha këto”, tha ai.
Ai ka thënë se Kosova ka 90 deputetë dhe parlamenti është jo funksional.
I pyetur nga RTK se çfarë faji ka qeveria që parlamenti nuk është funksional ka thënë se Kryetari i Qeverisë është kryetar i një partie. Ajo që po them është se nuk ndodhë që një parlament me 90 vota dhe ministrat nuk janë kurrë në parlament.
“Është një sjellje poshtëruese dhe ofenduese ndaj parlamentit të Kosovës. Klima është mosbesuese mes vete dhe ta lë përshtypjen që në Kosovë janë 3 qeveri. Një që e drejton Kryeministri, një kryeparlamentari dhe një Lista Srpska”, ka thënë Limaj.
Limaj ka folur edhe për atë nëse ideja për mocionin e Qeverisë është frymëzuar nga PDK.
“Ideja është ekskluzivisht e jona dhe ka ardhur natyrshëm. Vetëm shikoni se çka po ndodh në Kosovë dhe e shihni nga ka buruar ideja”, ka thënë ai.
Sipas Limajt, zgjedhjet japin një mundësi për ta ndryshuar këtë qasje për të filluar një riatartim dhe marrje me problemet e mëdha.
“Kjo që po ndodhë sot nuk i jep vendit asnjë shancë sepse për tri vite po sillemi në kolaps”, thotë ai.
Duke folur për temat kryesore që janë hapur në mandatin e kësaj qeverie, Limaj ka thënë se edhe çështja e Asociacionit, Demarkacioni edhe Liberalizimi i vizave ishin hapur në mënyrë të gabuar.
“Ne vazhdon të na qeverisë një qeveri e cila ka shkelur 23 herë kushtetutën e Kosovës me një marrëveshje në Bruksel. Atëherë ka qenë dashtë të japë dorëheqje kjo qeveri”, ka thënë Limaj.
Por i pyetur se pse nuk kanë inicuar mocionin e mosbesimit në atë kohë, ai tha se kërkesa në atë kohë ka qenë objektivisht e pamundur me pasë sukses sepse opozita nuk ka pasur vota të mjaftueshme për ta proceduar në Kuvend. “Situata sot është pak më ndryshe”, ka thënë Limaj.
Ai thotë se ka pasur takime me kryetarin e VV-së Visar Ymerin dhe me drejtuesin e Alternativës, Ilir Deda si dhe me deputetë të partive minoritare jo serbe.
Takime në lidhje me mocionin për rrëzimin e qeverisë sipas Limajt, janë bërë edhe me deputetë individualisht.
“Edhe shefat e grupeve parlamentare të opozitës kanë pasur takime dhe janë në fazën e harmonizimit të tekstit që duhet të përcillet për mocion. Javët e ardhshme do të jenë jashtëzakonisht dinamike në konsolidimin dhe realizimin e kërkesës për mocion”, ka thënë kryetari i Nisma për Kosovën në intervistën në RTK.
“Ideja është përpunuar dhe tash dalngadalë gjitha grupet parlamentare opozitare janë duke punuar në përgatitjen formale të kërkesës e cila është kërkesë e grupeve opozitare për mocionin e opozitës së bashkuar”, ka thënë Limaj në intervistën në RTK.
Ai ka thënë se ideja për mocion ka gjetur mbështetje dhe tash është faza e dytë në formalizimin e kërkesës së përbashkët, e që sipas tij kjo kërkesë do të ecë drejt Parlamentit të Kosovës.
Po ashtu, Limaj tha se kjo është një praktikë parlamentare dhe për këtë mocion janë pjekur kushtet për shumë arsye, e mbi të gjitha për faktin se Kosova është në krizë të thellë politike.
“Kemi një Qeveri që nuk ka mundur të adresoj zgjidhjen e problemeve që e kanë sjellë vendin në krizë”, ka thënë kryetari i Nismës për Kosovën. /rtk/