Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka udhëtuar për në New York, atje ku do të presë dhe do të marrë pjesë në ngjarje shumëpalëshe të nivelit të lartë dhe do të zhvillojë plot takime dypalëshe.
Ai, siç njofton BE-ja, ai gjithashtu do t’i mbledhë liderët nga Ballkani Perëndimor për takimin tradicional të organizuar në margjinat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Atje, Kosova përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila gjithashtu është nisur dje drejt New York-ut.
Të martën, Borrell, bashkë me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të marrin pjesë në sesionin hapës të Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Po atë ditë, planifikohet takimi i Borrell me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Agjenda e Borrellit përfshin edhe takime tripalëshe me Bashkimin Afrikan dhe Kombet e Bashkuara, takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e pjesëmarrje në takimin e ministrave të jashtëm të G7-ës.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar dje nga Nju Jorku, aty ku po merr pjesë në javën e nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një paraqitje direkte nga profili i saj në Facebook, Osmani pohoi se Kosova merr pjesë tradicionalisht në këtë organizim, anipse nuk është anëtare e Asamblesë.
“Kosova nuk është anëtare, por tradicionalisht liderët tanë kanë udhëtuar gjatë kësaj jave në Nju Jork për të takuar miq të dëshmuar të Republikës sonë dhe për të krijuar miqësi e alaneca të reja”, tha Osmani, transmeton Gazeta Express.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për takimet që do të ketë me liderët botëror dhe për pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Është shumë me rëndësi që do të kemi mundësi që të marrim pjesë në organizime bashkë me liderë të tjerë botëror, takimet do të fillojnë pas pask, pas gjysmë ore”.
Ajo e cilësoi si më të rëndësishmën pritjen e organizuar nga presidenti Biden.
“Mirëpo më e rëndësishmja do të jetë pritja e organizuar nga presidenti Biden, ku do të kem mundësi që ta falënderoj në emër të popullit të Republikës së Kosovës, për aleancën tonë të fuqishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se do të përçojë zërin e popullit të Kosovës.
“Në takime bilaterale me liderë të tjerë e në organizme e diskutime të tjera do ta përçojë zërin e popullit të Kosovës dhe qëndrimet e Republikës së Kosovës jo vetëm për zhvillimet rajonale, por si mund të jetë Kosova një faktor që konttrribuon edhe për sfidat e tjera globale”, tha ajo.
E njëjta theksoi se do të ketë takime të rëndësishme me mërgatën tonë atje.