Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca në Kuvend po akuzohen për miratim të ligjeve që janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Sipas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ekzekutivi është shndërruar në shkelësin më të madh të Kushtetutës, ndërkaq në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thonë se në përmbajtjen e ligjeve të sponsorizuara nga qeveria ka probleme serioze kushtetuese. Në anën tjetër, në partinë në pushtet kritikojnë opozitën se po përdorë mekanizmin e Gjykatës Kushtetuese për të bllokuar reformat që po i ndërmerr qeveria.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për KosovaPress, se opozita po fiton çdo betejë me pushtetin në Gjykatën Kushtetuese.
Ai përmend rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për zyrtarët publikë, të cilët sipas tij, dëshmojnë padijeninë dhe dëmin e vazhdueshëm që qeveria po i bënë Kosovës.
Sipas tij, edhe Ligji për tatimin në pronë është antikushtetues dhe si i tillë do të rrëzohet nga ky institucion.
Ndërkaq, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress, se kjo legjislaturë në Kuvend ka më së shumti ligje të dërguara në Gjykatën Kushtetuese.
Ai shton se Qeveria e Kosovës nuk është duke draftuar ligje në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.
Por të kundërtën e thotë deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit për legjislacion në Kuvend.
Ai kritikon partitë opozitare se po tentojnë përmes mekanizmit të Gjykatës Kushtetuese t’i bllokojnë reformat e iniciuara nga Qeveria Kurti.
Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë duke u shqyrtuar Ligji për paga në sektorin publik, Ligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Ligji për pagën minimale dhe Ligji për tatimin në pronë.
Gjykata Kushtetuese muaj më parë ka rrëzuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, derisa së fundmi shfuqizoi disa nene të rëndësishme të Ligjit për zyrtarë publikë.