Saga për ndeshjen FC Prishtina – FC Liria është zgjidhur me në fund, me Prishtinën që ka lajmëruar se do të luajë nesër në Hajvali
FC Prishtina nesër do ta presë në Hajvali FC Lirinë, kjo pasi që ky vendim është marrë sot dhe është publikuar nga klubi në faqen e tyre zyrtare.
Arsyeja e këtij vendimi është së Prishtina e ka konfirmuar që janë duke u bërë punime në fushë, e cila nuk ishte në gjendjen e saj më të mirë edhe për ndeshjen që Kosova luajti kundër Zvicrës, por edhe për ndeshjet që i luajti Ballkani.
“Pas sqarimeve që na janë dhënë për punimet në fushë dhe konfirmimin zyrtar të dërguar nga FFK në mënyrë eksplicite që FC Prishtina të gjitha ndeshjet e saj deri në fund të sezonit 2023/24 do t’i zhvilloj në stadiumin “Fadil Vokrri”, kemi pranuar që ndeshjen e nesërme të javës së pestë të Albi Mall Superliga e Kosovës, Prishtina – Liria, të zhvillojmë në fushën e Kompleksit Nacional në Hajvali”, thuhet ndër të tjera nga FC Prishtina.
Kujtojmë që Prishtina fillimisht tha se kjo ndeshje do të luhet në Fadil Vokrri, derisa FFK tha në Hajvali. Mbrëmë nuk ishte sqaruar se ku do të luhet ndeshja por sonte përfundimisht i është dhënë fund këtij epilogu.