Një prej figurave kryesore të LDK-së dhe drejtuesi i Degës në Gjilan, Lutfi Haziri, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka adresuar kritika për kryetarin e Komunës, Alban Hysenin.
Haziri me ironi ka thënë se është fatkeqësi që Gjilani ka mbetur pa kryetar tash e dy vite. Sipas Hazirit, udhëheqja e Gjilanit po e rrezikon progresin që Komuna kishte arritur gjatë udhëheqjes së LDK-së.
“Është fatkeqësi e madhe që Gjilani sot e dy vjet ka mbetur pa kryetar. Kjo udhëheqje e Komunës ka paaftësi financiare, mosdije në zbatim e mungesë vizioni, duke e rezikuar progresin që ne e kemi shkaktuar në të kaluaren e afërt, po e rezikon të ardhmen e po e mbytë shpresën për gjeneratat e reja, dhe ia ka garantuar një regres Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Ai tutje ka përmendur disa projekte të cilat kanë qenë të filluar por që s’janë realizaur nga Komuna.
“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së VV-së, Gjilani ka rrëshqitur në regres që nënkupton degradim të projekteve të filluara e mosrealizim të projekteve në shtratin e lumit Mirusha, në shtratin e lumit Stanishorka, në rrugët regjonale nuk kemi zhvillim të punimeve, përkatëisht në rrugën Gjilan-Prishtinë, kemi ndalje të punimeve në rrugën Gjilan-bunari i Përlepnicës, kemi anulim të rrugës nga “Planeti” në drejtim të Banjës së Dobëranit. Të mos flasim për moszhvillimin e projektit të ndriçimit në fshatra. Ndërkaq, po e ritheksojmë, asnjë arsye nuk ka që të shtyhet impianti për trajtimin e ujërave të zeza deri në vitin 2027.
Ne besojmë që Kuvendi Komunal, mund të jetë një lloj ure në mës opozitës dhe qeverisë komunale, në mënyrë që në projeksionet zhvillimore të Komunës të mos vazhdojë degradimi”, ka përfunduar Haziri.