Bashkimi Europian nuk e konsideron të përmbyllur çështjen e depërshkallëzimit të situatës në katër komunat në Veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime duke e reduktuar praninë e policisë nga dhe përreth objekteve atje, 2 herë nga 25 përqind, por kjo nuk mjafton për BE’në. Shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell pas takimit të 14 shtatorit ku Kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq nuk arritën ndonjë marrëveshje, e ka përmendur edhe këtë çështje.
“Janë ndërmarrë disa hapa nga Kosova dhe ne i mirëpresim – disa – por ata nuk përmbushin kërkesat e bëra për deeskalim të plotë”, ka thënë Borrell.
Si kujtim, të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian – të gjitha së bashku – kanë kërkuar qartësisht hapa konkretë për zgjidhjen e krizës aktuale.
Janë ndërmarrë disa hapa nga Kosova dhe ne i mirëpresim – disa – por ata nuk përmbushin kërkesat e bëra për deeskalim të plotë” ka theksuar ai.
Tutje Borrell u ka kërkuar veprime të dyja palëve në mënyrë që të mbahen zgjedhje në ato komuna.
“Ne përsëri i kërkuam të dyja palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme në veri të Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën, për të shmangur çdo destabilizim të mëtejshëm dhe për të mundësuar mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve të reja të parakohshme lokale. Nuk mund të rrimë e të presim krizën e radhës. Kjo duhet të ndodhë menjëherë, në përputhje me kërkesat e bëra nga Bashkimi Europian dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar” ka thënë kryediplomati europian./Express/