Kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk mendon njëjtë sikurse shefi i partisë së tij, kryeministri Albin Kurti, sa i përket masave të vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës. Konjufca refuzon vendosmërisht që ato t’i quajë sanksione, duke thënë se edhe vetë Bashkimi Europian s’i quan të tilla.
Por, me një intervistë të dhënë ditë më parë për DW, Kurti pranoi se përkundër që ato quhen masa në fakt janë sanksione. Sipas Konjufcës, ato janë masa që i afrohen sanksioneve, por mbetën masa.
“Unë nuk mendoj që ka dokument zyrtar ku shkruan fjala sanksione. Gabim është me thënë një qytetare e shtetit tënd më shumë se që kanë thënë ata. Ato janë masa, janë afër sanksioneve. Escobar e tha zyrtarisht që nuk janë sanksione. Këto janë masa – të këqija e të rënda janë – por Kosova është duke u munduar të argumentojë diçka që është e drejtë”, tha Konjufca në një intervistë mbrëmë në Kallxo.
Kurti pati dhënë një version që, sipas tij, Bashkimi Europian e ka përdorur një taktikë për t’i imponuar sanksione Kosovës, duke e zbutur termin në tentimin për të shmangur procedurën e votimit që Unioni e bën në raste kur ndërmerr sanksione.
“Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asociimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar t’i votojnë në Bashkimin Europian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat”, kishte deklaruar Kurti, ndryshe nga Konjufca.
Edhe Bashkimi Europian zyrtarish i ka quajtur masa, për të cilat thotë se janë të përkohshme.
Kryetari i Kuvendit tha se nuk pritet që Kosova të tentojë të shtrijë sovranitetin në veri të vendit dhe të duartrokitet e të marrë nota të larta nga ndërkombëtarët.
“Edhe me i arrit qëllimet tona edhe me i mbrojtë më së miri interesat tona edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës edhe krejt bashkësia ndërkombëtare me të duartrokit nuk është bash kollaj t’i bësh të dyja në të njëjtën kohë”.
Konjufca tha se edhe para se të vinin në pushtet e kanë ditur që nuk është lehtë të trajtohet çështja e veriut të vendit.
“A kam thënë ndonjëherë që veriu është i shtruar me lula? Kurrë s’kam premtuar mrekulli unë. Kjo është rrugë e vështirë shumë. Bashkë e kemi ditur të gjithë që s’është lehtë.
Konjufca tha se edhe derisa kanë qenë opozitë kanë përkrahur pozitën kur ka tentuar të shtrijë sovranitetit në veri të Kosovës, por se të njëjtën përkrahje s’po e marrin nga opozitarët aktualë.
“Boll opozitë e ashpër kemi qenë, por e ke deklaratën që jemi deri në fund prapa Ramush Haradinajt për taksën [100 përqind]. Ai nuk po sillet tash njëjtë me neve në veri. S’po sillet opozita njëjtë. Edhe kur Hashim Thaçi më 2011 ka intervenuar në veri njëjtë është komunikata – deri në fund bashkë. Nëse je për ta forcuar sovranitetin atje deri në fund bashkë”.