Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Për arsye ende të panjohura, mbrëmë një i ri ka shkrepur me armë zjarri në fshatin Lupq të Podujevës e të cilit më pas i dolën telashe me Policinë.
Njësitë policore kanë ndalë një veturë e cila ishte duke qarkulluar, dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë bashkë me fishekë dhe një gëzhojë.
Njëri prej personave që ndodheshin në veturë është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa 22-vjeçari ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri.
Arma bashkë me municionin është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është dërguar në mbajtje.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 22-vjeçarit është iniciuar rast për veprën penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.