-2.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Profesoresha universitare në Rumani: Kosova nuk është Serbi, ndryshe s’do të ishte e munduar prania e KFOR-it

Miruna Troncota, profesoreshë në Universitetin Publik të Rumanisë dhe eksperte e çështjeve të Ballkanit Perëndimor thotë se parulla “Kosova është Serbi” e shfaqur në ndeshjen Rumani-Kosovë nuk tregon realitetin e 15 viteve të fundit. Ajo thotë se situata ka ndryshuar pas vitit 1999 dhe se Kosova nuk është Serbi as me Rezolutën 1244.

Pankarta me mesazhe politike “Kosova është Serbi” e shfaqur gjatë ndeshjes së vlefshme për kualifikime të kampionatit evropian të futbollit ka shkaktuar debate e reagime të shumta në opinionin sportiv dhe më gjerë.

Por një shkrim i Miruna Troncota, profesoreshë në Universitetin Publik të Rumanisë dhe eksperte e çështjeve të Ballkanit Perëndimor në median RFI Romania ka nxitur reagime edhe në Rumani.

Telegrafi ka intervistuar profesoreshën, Miruna Troncota e cila flet për incidentin gjatë ndeshjes Rumani-Kosovë dhe efekte politike të asaj ngjarje.

Profesoresha thotë se grupi i ultrasve që shkaktuan incidentin, janë të njohur për ekstremizmin e tyre pasi që kanë pretendime edhe për Besarabinë që është pjesë e Moldavisë e që sipas saj shteti rumun nuk është në favor të bashkimit të këtij territori me Rumaninë.

“Isha e zhgënjyer nga ky incident që nuk kishte të bënte me futbollin, por me politikën. Por kjo ishte e pritshme sidomos sepse ata ultras që mbanin banderolën janë një grup nacionalistësh ekstremistë që kanë krijuar skandale gjatë ndeshjeve të futbollit edhe para këtij incidenti”, tha Troncota për Telegrafin.

“Ata kanë qenë të pranishëm edhe në Prishtinë gjatë ndeshjes së parë ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë dhe kanë pohuar se janë ngacmuar, rrahur nga policia dhe tifozët kosovarë të futbollit kanë kënduar tekste antirumune gjatë asaj loje”, shton ajo.

Ekspertja e çështjeve të Ballkanit Perëndimor thotë se në rrjetet sociale para ndeshjes kanë njoftuar se do të sillen njësoj siç kanë bërë tifozët kosovarë.

“Kjo gjithashtu tregon se mesazhi i tyre ishte i qëllimshëm – duke e ditur se do të kenë ndikim te lojtarët kosovarë dhe gjesti i tyre ishte i qëllimshëm. Ata ishin të vetëdijshëm se kjo frazë i lëndon qytetarët kosovarë”.

Por cilat ishin reagimet në opinionin publik në Rumani?

Profesoresha thotë se shumica e rumunëve në rrjet e pritën keq vendimin e Kosovës për të lëshuar fushën, duke thënë se baneri ishte pasqyrim i qëndrimit mosnjohjes të Rumanisë ndaj Kosovës.

“Në Rumani kishte shumë zhgënjim për incidentin. Shumë rumunë mendojnë se Kosova me paramendim kishte lëshuar fushën për të fituar ndeshjen në tavolinë, gjë që nuk është e vërtetë”.

Ajo thotë se pavarësisht se Rumania nuk e njeh Kosovën, ndeshja ishte me rregullat e UEFA-s që e lejon Kosovën të luaj si shtet.

“Duke luajtur thjesht një lojë futbolli me Kosovën sipas rregullave të UEFA-s, kjo nuk ndikon në asnjë mënyrë pozicionin politik të Rumanisë ndaj Kosovës. Rumania konsideron se Serbia së pari duhet ta njeh Kosovën më pas të njëjtën gjë ta bëjnë edhet shtetet tjera”.

Sipas profesoreshës parulla “Kosova është Serbi” ishte një gabim shumë i madh edhe në aspektin human.

“Në rrjetet sociale pas ndeshjes shumë filluan të argumentojnë shprehjen “Kosova është Serbi” si e ndërlidhur me qëndrimin e mosnjohjes së Rumanisë, që nga këndvështrimi im është një gabim shumë i madh. “Kosova është Serbi” është një frazë fyese, që i përket një grupi nacionalistësh që nuk kanë ndjekur 15 vitet e evolucionit të fundit në Kosovë. Është një frazë që ua heq dinjitetin të gjitha viktimave të vrasjeve masive të nxitura etnikisht kundër popullatës kosovare gjatë regjimit të Millosheviqit”.

Ajo thotë se Rumania ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës dhe prandaj një parullë e tillë ishte gabim.

“Për shkak se Rumania nuk mban anë në këtë mosmarrëveshje, kështu që në nivel zyrtar nuk mund të pranojë shprehjen në këtë pankartë. Rumania thjesht përdor fusnotën dhe përdor një interpretim më të rreptë të së drejtës ndërkombëtare dhe për këtë arsye zyrtarisht njoftoi se nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010 për këtë çështje që nënkuptonte vazhdimin e politikës së saj të mosnjohjes”.

“Kosova nuk është Serbi as sipas Rezolutës 1244”

Troncota thotë se Kosova nuk është Serbi as duke u bazuar në Rezolutën 1244 që përcakton se Kosova është nën mandatin e OKB-së dhe NATO-s.

“Për sa kohë është në fuqi OKB 1244 Kosova nuk mund të jetë si para 1998 si pjesë e Serbisë. As opinioni i GJND-së në vitin 2010 nuk konfirmon në asnjë mënyrë se Kosova i përket Serbisë. As opinioni i GJND-së në vitin 2010 nuk konfirmon në asnjë mënyrë se Kosova i përket Serbisë”.

“Nëse Kosova do të ishte pjesë e Serbisë – atëherë prania e misionit paqeruajtës të NATO-s (dhe Kontributi ushtarak i Rumanisë për KFOR-in) nuk do të ishte i mundur – sepse do të cenonte rëndë sovranitetin e shtetit serb. Përderisa ekziston misioni i NATO-s dhe ai i Përfaqësuesit Special të BE-së në territorin e Kosovës – dhe për sa kohë të tjera se 100 shtete e kanë njohur pavarësinë – atëherë ai territor ka një status tjetër, le ta quajmë të paktën status të pasigurt ose jo përfundimtar (ende i diskutueshëm) – bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka shtuar tutje ajo.

Ekspertja rumune thotë se vetëm para vitit 1998 Kosova ishte pjesë e Serbisë.

“Pas atij momenti dhe pas luftës, Kosova nuk ishte më pjesë e Serbisë përveçse simbolikisht, jo de facto”.

Ajo thotë se edhe Marrëveshja e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në fillim të këtij viti, mund të nënkuptojë njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Në fund profesoresha rumune thotë se shpreson në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë ku të dy vendet do të ishin pjesë e BE-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img