Analistja Majda Ruge nga Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë tha se ndonëse pritshmëritë ishin që takimi mes zotit Kurti dhe zotit Vuçiq do të krijonte një moment për t’i dhënë kahje të re dhe një kornizë më konstruktive zbatimit të marrëveshjes bazë mes dy vendeve, nuk është për t’u habitur që ai nuk i përmbushi këto pritshmëri.
“Pse po vazhdojmë të dështojmë? Siç ka thënë Ainshtajni përkufizimi i çmendurisë është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. E tërë korniza e Bashkimit Evropian për ndërmjetësim po vazhdon me të njëjtën qasje ndërkohë që po neglizhon sfidat që nuk do të zhduken nëse nuk e ndryshojmë qasjen. Duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë pritet prej Kosovës, çfarë pritet nga Serbia si ofertë ndaj Kosovës dhe sa vëmendje të lartë politike dhe ndikim janë të gatshëm të investojnë Bashkimi Evropian dhe lojtarët e tjerë të jashtëm,” thotë për Zërin e Amerikës, ekspertja Majda Ruge nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
Zonja Ruge thotë se problemi qëndron te dy pikëpamje krejtësisht të ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit, në veçanti rreth çështjes së krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, zbatimi i të cilës është shndërruar në pengesën kryesore në këtë proces. Sipas saj, Kryeministri Kurti e konsideron asociacionin si një organizim pa kompetenca ekzekutive, ndërsa presidenti Vuçiq e sheh si një strukturë me kompetenca vendim-marrëse dhe ekzekutive.
“Kjo është diçka që Prishtina nuk e pranon…sepse e konsideron si një instrument për ndërhyrje politike nga Beogradi në çështjet e Kosovës”, thotë ajo.
Sipas zotit Hartwell, dështimi i dialogut do të vazhdojë të paraqesë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n për situatën e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u përshkallëzua pak kohë pas pajtimit të dyja palëve me marrëveshjen bazë mes përplasjeve të dhunshme në komunat veriore të Kosovës. Sipas tij, në të ardhmen të afërt, bashkësia ndërkombëtare do të përqëndrohet tek frenimi i përshkallëzimit të mëtejshëm. Por në të ardhmen afatgjatë, sipas zotit Hartwell, dështimi i dialogut do të ketë pasoja për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane dhe do t’i detyrojë të dyja vendet të jetojnë në një gjendje të vazhdueshme pasigurie.
“Dialogu nuk ka qëllim të qartë. Bashkimi Evropian flet për ‘normalizim,’ por ky koncept nuk ka asnjë kuptim… Ndërmjetësit duhet të jenë më të qartë se çfarë duan të arrijnë. Janë dy çështje rreth këtij konflikti që duhet pasur parasysh. Siguria dhe respektimi i sovranitetit të Kosovës. Pastaj, ndërmjetësit nuk e kanë një plan të dytë. Po ta kuptonin se dialogu është në ngërç, do t’i ndihmonte që të tregojnë më shumë imagjinatë për të arritur qëllimet kryesore nga këto negociata. Nuk mund të negociosh vetëm sa për të arritur një marrëveshje. Negocion për të arritur një qëllim. Ata duhet ta bëjnë të qartë këtë.”
Zoti Hartwell thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kalibrojnë qasjen e ndëshkimeve dhe shpërblimeve.
“Kur situata u përshkallëzua në veri, Kosova u ndëshkua duke u përjashtuar nga stërvitjet me disa anëtarë të NATO-s. Disa javë më vonë, në Serbi u mbajt një stërvitje ushtarake ku morën pjesë tetë shtete të NATO-s. Ajo nuk u dënua për dhunën, ndonëse ka lidhje të forta midis regjimit të Vuçiqit dhe partisë kryesore serbe në Kosovë,” theksoi ai.
Ai mendon se në të ardhmen trysnia do të vazhdojë të shtohet ndaj Kosovës, por se diplomatët perëndimorë duhet të tregohen më të paanshëm në raport me dyja vende.
“Serbia, në thelb, mban çelësin për t’i dhënë fund kësaj përplasjeje. Po të ishte zoti Vuçiq serioz për arritjen e paqes seriozisht, ai do t’i jepte fund që sot (krizës),” thotë ai.
Por sipas zonjës Ruge, nuk ka shpresë për ndonjë përparim.
“E ardhmja do të jetë e njëjtë – një kombinim mes përpjekjesh për të sjellë ndryshime në terren dhe për ta çuar dialogun përpara, me vizita të vazhdueshme në Bruksel, dhe një konferencë tjetër shtypi se përse kemi dështuar të përparojmë dhe me ndonjë përshkallëzim në terren, varësisht se sa seriozë janë aktorët e jashtëm, BE dhe SHBA, për t’i bërë trysni Serbisë që të mos nxisë probleme në veri.”