0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Shefi i UNMIK-ut do hetim lidhur me deklaratat e Daut Haradinajt

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, ka kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë që të bëjnë hetime lidhur me një deklaratë të Daut Haradinajt, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kërkesën e tij, Tanin e ka bërë përmes një komunikate për medie, ditën e hënë, duke thënë se “deklarata e deputetit të Kuvendit të Kosovës, përmbante gjuhë të urrejtjes dhe kërcënim për pastrim etnik”.

Në komunikatë, Tanin u ka bërë thirrje “autoriteteve gjyqësore për të kryer hetimin e nevojshëm të këtij incidenti dhe të marrë masat e duhura në përputhje me ligjin e Kosovës”.

Administrata e UNMIK-ut, nuk ka komentuar më shumë në lidhje me deklaratën e lëshuar nga shefi i këtij misioni në Kosovë, Zahir Tanin.

Zëdhënësja e UNMIK-ut në Prishtinë, Sanam Dolatshahi, në një përgjigje me shkrim, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjithçka është thënë në deklaratën e shefit të UNMIK-ut.

“Siç është thënë në deklaratë, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm ka bërë thirrje për hetime në harmoni me ligjet e Kosovës”, ka thënë Dolatshahi.

Kërkesa e shefit të UNMIK-ut drejtuar autoriteteve të drejtësisë, pas deklaratës që deputeti Daut Haradinaj e ka dhënë gjatë një interviste në Radio Televizonin Dukagjini, ku ka folur lidhur me mundësinë e ekstradimit në Serbi nga autoritetet franceze, të vëllait të tij, liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinajt.

“Në rast se gabojnë të bëjnë këso veprimesh, atëherë, ata le të bëhen gati për tema më serioze. Nëse duan Kosovën etnikisht të pastër, pa serb, le të bëjnë hajgare me Ramushin”.

Shefi i UNMIK-ut, Tanin, të mërkurën ka pasur takim me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme. Anëtari i këtij komisioni, Pal Lekaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kishte kërkuar sqarime nga zoti Tanin, lidhur me kërkesën e tij.

“Ai tha ‘nëse ka hapësirë për tu hetuar, atëherë është çështje e brendshme e juaja’. Kam kërkuar sqarim dhe kam ngritur edhe një paralele, me prononcimin e ish presidentit të Serbisë Nikoliq, kur ai pati thënë ‘unë jam i gatshëm të marrë armët dhe bashkë më djemtë të shkojë të luftojë në Kosovë, t’i luftojë shqiptarët’. Prandaj, asnjë ngritje, asnjë shqetësim nuk e ka treguar UNMIK-u dhe shefi i UNMIK-ut që është në Kosovë dhe në këtë drejtim, i kam thënë që ‘duhet të jeni të barabartë dhe të mos jeni të njëanshëm’, sepse këso deklaratash bëjnë për çdo ditë zyrtarët më të lartë të shtetit të Serbisë”.

Sipas deputetit Lekaj, deklarata e Daut Haradinajt është keqkuptuar dhe se domethënia e kësaj deklarate është që “Serbia po mundohet të bëj pastrim, me veprimet e saj ndaj zotit Haradinaj”, i cili sipas tij, “politikisht gjendet në Francë”.

Por, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar deklaratën e Daut Haradinajt si të pamatur dhe të papranueshme.

Por, megjithatë, sipas tij, kërkesa e shefit të UNMIK-ut për hetim të deklaratave të Haradinajt, nuk është përcjellë me ndonjë fakt për ndonjë veprim të Haradinajt që ndërlidhet me deklaratën.

“Nuk e di se a ekziston një bazë ligjore që të bëhet kjo. Mirëpo, është e qartë, së paku deri më tani, që nuk ka pasur asnjë veprim të zotit Daut Haradinaj, që kishte lënë për tu kuptuar se po bëhet diçka konkretisht për deklaratën e tij të dhënë më herët. Do të thotë, ne nuk kemi parë as edhe ndonjë veprim më të voglin. Prandaj, nuk e di nëse ka pasur të drejtë përfaqësuesi i UNMIK-ut që të kërkojë nga prokuroria që ta hetojë këtë rast”.

Blakaj ka shprehur përshtypjen se “shefi i UNMIK-ut i ka dhënë rëndësi më të madhe se sa që duhet” deklaratës së deputetit Haradinaj.

Deklarata të ngjashme, madje edhe më të rënda, sipas tij, janë në diskursin e përditshëm të politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve në rajon, e sidomos në Serbi dhe ndaj të cilave, nuk ka pasur reagime të ngjashme sikurse ndaj deklaratës së Haradinajt.

Në anën tjetër, me gjithë kërkesën që Radio Evropa e lirë e ka bërë në Prokurorinë e Shtetit të Republikës së Kosovës, që të sqarojë nëse ka bazë për hetimin e Daut Haradinajt lidhur me deklaratën e tij, zyrtarët e prokurorisë deri më tash nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img