3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Edhe dy ushtarëve hungarezë të KFOR-it që ishin sulmuar nga serbët në Zveçan, i amputohen këmbët

Edhe dy ushtarëve hungarezë të KFOR-it që ishin sulmuar nga serbët në Zveçan më 29 maj, u janë amputuar këmbët.

Kështu bëjnë të ditur mediat hungareze.

Sipas hvg.hu, edhe pse janë bërë disa muaj nga incidenti në veri të Kosovës, ende nuk ka informacione të detajuara për rrjedhjen e ngjarjes.

“Edhe pse thuhet se as lidershipi i KFOR-it nuk ishte në krye të situatës, gjë që mund të shpjegojë pse ata hezitojnë të flasin për atë që ka ndodhur zyrtarisht, por edhe qeveria hungareze (ushtarake) po hesht, që mund të jetë për arsye të tjera”, raporton hvg.

Ndërkaq, misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave, kishte konfirmuar se nga eskalimi i gjendjes në veri më datën 29 maj u lënduan 30 ushtarë, ku 19 prej tyre ishin nga kontigjenti hungarez.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës  në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit”, kishte konfirmuar KFOR.

Ndërkaq, ministria hungareze kishte njoftuar se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nga tensionet në veri janë plagosur edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, gazetarë dhe kameraman.

Po ashtu, janë dëmtuar edhe vetura zyrtare, e po ashtu vetura të mediave që kanë raportuar nga terreni.

Aktualisht, situata në katër komunat veriore, Zveçan, Mitrovicë e veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq raportohet të jetë e qetë, ndërkohë KFOR dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të kenë trupa të shtuar në këto komuna.

Ndërsa avokati nga Serbia, Çedomir Stojkoviq, ka reaguar në rrjetin social X, (ish Twitter).

“Sulmi i serbëve rusë nga veriu i Kosovës, të cilët janë nën kontrollin e Aleksandar Vuçiqit të Putinit, ndaj ushtarëve të NATO-s (KFOR) më 29 maj në Zveçan rezultoi me prerjen e këmbëve të disa ushtarëve të NATO-s me kombësi hungareze”, shkruan ai.

Sipas tij, kjo është hera e parë që NATO mposhtet nga rusët, pasi thekson se ushtarëve të NATO-s u janë prerë këmbët për shkak të Vladimir Putinit.

“Miku i Putinit, Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë, e mbajti të fshehtë këtë”.

“Publiku politik i vendeve të NATO-s duhet ta dijë këtë.  Ai duhet ta dijë se Vladimir Putin po i shqyen këmbët ushtarëve të NATO-s përmes Aleksandar Vuçiqit”, shkruan Stojkoviq.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img