Komuna e Prishtinës ka shkëputur tri kontrata me kompanitë që sipas saj s’i kanë respektuar kushtet për shtrimin e rrugëve – fakt ky që ka vështirësuar jetën prishtinasve.
Për ndërprerjen e këtyre tenderëve publikë ka njoftuar Përparim Rama, kryetari i Prishtinës. Sipas tij kjo ka ndodh pasi kompanitë kanë qenë të papërgjegjshme.
Gazeta Sinjali ka mësuar emrat e dy prej kompanive që Komuna e Prishtinës ua ka shkëputur kontratat.
Bëhet fjalë për ndërrmarrjet “Noti” dhe “Bashkimi”, kompani këto që janë marrë me shtrimin e rrugëve në Prishtinë.
“Kompanitë në fjalë nuk kanë dëshmuar profesionalizëm dhe seriozitet në zbatimin e planit dinamik. Rrjedhimisht, kanë pasur ngecje të mëdha në realizim të punimeve duke mbajtur projektet e papërfunduara dhe duke vështirësuar jetën e qytetarëve në lokacionet përkatëse”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai tha se këtyre kompanive do t’ua konfiskojnë vlerën e 10 për qind të projektit.