Gazetari gjerman, Michael Martens, ka nxjerrë disa fragmente nga intervista që ka realizuar për gazetën ku punon “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, pas zhvillimeve të fundit në këtë vend.
Presidenti i etnitetit Republika Srpska në BeH, Milorad Dodik, ka kërcënuar se do të arrestojë Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt nëse ky i fundit hyn në territorin e Republikës Srpska.
“Në një intervistë që dha sot për Frankfurter Allgemeine Zeitung, Schmidt shpjegoi se si planifikon t’i përgjigjet kërcënimit të Dodik, duke thënë se ai “sigurisht” do të vazhdojë të udhëtojë në RS dhe e quajti sjelljen e Dodik “çmenduri politike””, ka njoftuar gazetari.
“Unë vërtete kam takime në ditët dhe javët në vijim në Republikën Srpska, veçanërisht në Banja Luka, por edhe në qytete të tjera. Unë qëndroj pas kësaj”, tha Schmidt, duke shtuar se Dodik duhet të ndalojë “çmendurinë e tij egocentrike”, pasi ” i vetmi që vërtet po futet në krizë është ai vetë”.
Por a do të tërhiqet Dodik?
“Nëse Schmidt vjen në Banja Luka dhe nuk arrestohet, Dodik do të humbasë reputacionin e të fortit mes mbështetësve të tij. Ai do të perceptohet me të drejtë një i dobët. A mund të përballojë Dodik që të mos arrestojë Schmidt?”, thotë Martens.
“Atëherë mbështetësit e tij thjesht do të kuptojnë se ai në asnjë mënyrë nuk bën gjithmonë atë që thotë – dhe se ai nuk i sjell asgjë të mirë vendit të tij,” komenton Schmidt për tërheqjen e mundshme të Dodiks.
“Dukej sikur Schmidt po sfidonte Dodikun për një duel”, thotë gazetari gjerman.
“Schmidt përmendi edhe aspektet ligjore: “Përveç faktit që unë i nënshtrohem Konventës Diplomatike të Vjenës dhe kështu gëzoj imunitet: Dodik nuk do të kishte juridiksion të urdhëronte arrestimin, sepse ai nuk ka autoritet për të dhënë direktiva në polici”.
Schmidt paralajmëron: “Z. Dodik duhet të jetë i përgatitur për disa momente mjaft të pakëndshme për të”.
I pyetur nëse ai do ta shkarkonte Dodikun dhe se si, nëse do të vinte deri te kjo, ai do të përpiqej të zbatonte një shkarkim të tillë, Schmidt ishte evaziv:
“Këto janë konsiderata që nuk komunikohen paraprakisht. (…) Ne do të shohim sesi bashkësia ndërkombëtare do të trajtojë dikë që (…) paraqitet si një aleat i ngushtë i Vladimir Putin”, ka thënë Schmidt.
Schmidt dha një tjetër përgjigje evazive në pyetjen nëse ai besonte se do të kishte mbështetjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në rast të ndonjë veprimi kundër Dodik:
“Ne do të shikojmë nëse njoftimi i Dodik është thjesht një bisedë boshe apo nëse do të pasohet me diçka më shumë. Nëse do të ketë diçka më shumë, atëherë do të jetë shumë serioze. Unë nuk jam në asnjë mënyrë gati për negociata kompromisi…”, ka thënë Schmidt në këtë intervistë për FAZ.