Mbrojtës i të pandehurit për krime lufte, Dragisha Millenkoçiq, avokat Dejan Vasiç ka parashtruar kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës (PSRK) që kryeministri Albin Kurti të dëgjohet si dëshmitarë në këtë rast.
Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, ka pranuar kërkesën nëpërmjet së cilës avokati mbrojtës i të pandehurit D.M. ka propozuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, që të dëshmoj në cilësi të dëshmitarit”, tha Lutfiu.
Tutje, ai tha s kjo kërkesë do të analizohet dhe shqyrtohet si dhe do të veprohet konform dispozitave ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kërkesa e njëjtë do të analizohet dhe shqyrtohet e më pas do të veprohet konform dispozitave ligjore në fuqi”, tha tutje Lutfiu.
Serbi Dragisha Millenkoviq, i cili u arrestua më 21 qershor të këtij viti në Graçanicë, dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999).
Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) kishte njoftuar se D.M., dyshohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë, në cilësi të gardianëve të Burgut në Prishtinë dhe Lipjan, në mënyrë sistematike kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psiqike, keqtrajtime e maltretime çnjerëzore.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime. Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 qershor ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit D.M.
Ky rast ende është ende në fazën e hetimeve.