Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ku tre persona janë përfshirë në një rrahje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Policia ka arrestuar në vendin e ngjarjes njërin prej personave të dyshuar, ndërsa tjetri ndodhet në arrati. Po ashtu te të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar mjete të mprehta.
Në kuadër të veprimeve hetimore i dyshuari dhe viktima janë shoqëruar në stacion policor ku kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, i mituri është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, teksa vijojnë kërkimet për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit tjetër.