Britania e Madhe do të shpallë organizatë terroriste, grupin mercenar rus Wagner duke e bërë të paligjshme anëtarësimin në të ose mbështetjen e saj, tha qeveria sot.
Një draft urdhër që do të paraqitet para parlamentit do të lejojë që pasuritë e Wagner-it të kategorizohen si pronë terroriste dhe të konfiskohen, tha ministrja e brendshme Suella Braverman në një deklaratë.
Braverman e përshkroi Wagnerin si “të dhunshëm dhe shkatërrues”.
Grupi kishte vepruar si “një mjet ushtarak i Rusisë së Vladimir Putinit jashtë shtetit”, tha ajo, raporton Reuters, transmeton klankosova.tv.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha se Wagneri nuk ekzistonte nga pikëpamja ligjore.
“Nuk ka asgjë për të komentuar”, tha ai kur u pyet për masën e Britanisë.
Në të gjithë Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, Wagner ka qenë i përfshirë në plaçkitje, tortura dhe “vrasje barbare”, thuhet në deklaratën britanike, duke e quajtur atë një kërcënim për sigurinë globale.
“Ata janë terroristë, shumë e thjeshtë – dhe ky urdhër ndalimi e bën të qartë me ligjin e Mbretërisë së Bashkuar”, tha Braverman.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 13 shtator.