-0.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Këshilltari i Kurtit del para gjykatës për fshehje të pasurisë

I akuzuari Erzen Vraniqi, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti nuk i ka deklaruar të ardhurat nga biznesi N.SH. “EIB” në pronësi të nënës së tij.

Një deklarim të tillë, Vraniqi e bëri pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza nga ana e prokurores Ajshe Ferati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo, nuk e ndij veten fajtor”, tha i akuzuari Vraniqi.

Ndërsa mbrojtësi i tij, avokati Hamdi Podvorica tha se e përkrah deklarimin e të mbrojturit të tij dhe se konsiderojnë që gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari Vraniqi nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet sepse sipas tij në këtë rast kishin të bëjnë me pakujdesi.

“I ka deklaruar të dhënat tek organi kompetent, gjithashtu ka deklaruar edhe biznesin e nënës së tij, mirëpo një rubrikë ka harruar për ta plotësuar dhe mendojmë se këtu kemi të bëjmë me një pakujdesi dhe me një gabim teknik, ndërsa kur është fjala tek kjo vepër penale kërkohet dashja e drejtpërdrejtë, gjë që nga provat nuk rezulton se i mbrojturi im e ka kryer veprën penale me dashje të drejtpërdrejtë”, tha avokati Podvorica.

I njëjti, po ashtu tha që në këtë rast nuk përmbushen elementet e veprës penale për të cilën ngarkohen i akuzuari Vraniqi, duke i propozuar gjykatës që aktakuzën ta hedhë poshtë.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Eroll Gashi, tha se të njëjtit kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës deri më 6 tetor 2023.

Ndryshe, gjatë seancë, i akuzuari Vraniqi tha se është këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit Kurti, pa pagesë.

Kujtojmë se seanca e 27 qershorit 2023 dhe ajo e 25 korrikut 2023, kishin dështuar për shkak të mungesës së Vraniqit në seancë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2023, Erzen Vraniqi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, këshilltar i Kryeministrit, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, par. 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.

Aktakuza thotë se Vraniqi edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontaktuese pranë organit të punësimit, për të bërë deklarimin e saktë për vitin 2021, i njëjti nuk e ka bërë deklarimin e saktë pasi nuk i ka deklaruar të ardhurat nga biznesi N.SH. “EIB” në pronësi të nënës së tij, në shumën prej 4 mijë e 226 euro e 70 centë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Vraniqi ka kryer verën penale “Mos raportimi ose raportimi i rreme i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, par. 2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img