Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), ka reaguar ndaj aprovimit nga ana e Kuvendit Komunal të Prishtinës, lidhur me Rregullorën për kujdestaritë dhe orarin e punës së barnatoreve.
AKPPM, e ka quajtur të kunderligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës, për kujdestaritë e barnatorëve. Në reagim thuhet se AKPPM është i vetmi autoritet kompetent, për rregullimin e tregut farmaceutik, që bënë licencimin dhe rregullimin e fushëveprimtarisë se barnatoreve në Republikën e Kosovës.
Por me këtë nuk pajtohet komuna e Prishtinës. Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku ka thënë për “ Indeksonline”, se orarin e veprimtarive ekonomike, e bëjnë vet komunat.
“Kjo është çështje e zyrës ligjore që ka dhënë mendim. Zyra ligjore ka qenë pjesë e grupit. Orarin e veprimtarive ekonomike e bënë komuna, e ka pas me rregullore dhe më herët. Zyra ligjore e komunës ka dhënë mendim dhe do të jap prapë mendim pas këtij reagimi. Plus ka qenë pjesë e grupit dhe Oda e Farmacistëve të Kosovës, kanë qenë të gjithë komponentët. Ne kemi caktuar veç orar kur me punu, jo qarkullimin e mallrave. Orarin e punës e bënë komuna dhe zyra ligjore ka dhënë mendimin e vet”, tha Sadiku.
Ndërsa thotë se nuk e di ku është bazuar AKPPM, e cila e ka quajtur rregulloren e Prishtinës, të kunderligjshme.
“Unë nuk e di në çfarë është bazuar AKPPM për këtë deklaratë. Të gjitha komunat tjera kanë orare. Që disa vite funksionojnë barnatorët me orare dhe s’ka pasur asnjë reagim. Nuk e di pse ndaj Prishtinës ka reagim. Kur ka komuna që me vite të tëra e kanë caktuar orarin e barnatorëve si Drenasi e Lipjani. Kanë orare pse nuk ka pasur reagim ndaj komunave tjera veç ndaj Prishtinës ka reagim që ka bërë shkelje, e komunat tjera jo. Kjo është indikative. Organet ligjore do ta japin mendimin e vet”, thotë Sadiku.
Sipas tij Komuna e Prishtinës e ka aprovuar një rregullore të tillë, për punën e kujdestarive të barnatorëve, pasi që Prishtina deri më tani nuk ka pasur asnjë barnatore kujdestare dhe se gjatë natës, qytetarët janë detyruar të shkojnë në qytetet tjera, për të blerë barna.
“Kjo rregullore ka vetëm orarin e kujdestarive, pasi që qytetarët e Prishtinës është dashur të shkojnë të marrin barna natën vonë në Lipjan, pasi që s’ka pasur barnatore në Prishtinë hapur natën. Kujdestari duhet me pas. Qytetarët disa herë kanë ardhur dhe janë ankuar se s’ka barnatore dhe rregullone këtë çështje, sepse në Prishtnë asnjë barnatore nuk punon mbas orës dy të natës. Mu ka duk shumë e çuditshme që kur ka Lipjani, Drenasi e Obliqi barnatore që kujdestarojnë, e Prishtina që i ka gjithë këto institucione shëndetësore e QKUK-në, mos me pas barnatore kujdestare”, tha ai.