5.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Kryetarët veriorë e analistët s`i bind Udhëzimi për zgjedhjet në Veri: E zvarrit situatën

Udhëzimi administrativ që i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri është gati.

Përpilimi i tij ka përfunduar të martën, njoftoi Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Me të, qytetarëve të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, u jepet mundësia që përmes një peticioni i cili kërkon mbështetjen prej 20 për qind të votuesve të një komune të largojnë kryetarët aktualë të tyre.

Me dy nga këta të fundit ka kontaktuar Front Online.

Ilir Pecin, i cili drejton Zveçanin, s`po e bind peticioni.

Andaj ka një ide tjetër.

“Unë gjithmonë e kam parë më të arsyeshme që katër kryetarët e komunave të veriut, të kenë një takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Gjatë atij takimi ndoshta mund të kishim arritë të krijojmë një marrëveshje”, tha Peci.

Ngjashëm mendon edhe kryetari i Zubin Potokut, Imri Zeqiri.

“Një marrëveshje politike do të kishte qenë më e efektshme për të ardh deri tek zgjedhjet mes qeverisë, partive dhe krytarëve aktualë”, u shpreh Zeqiri për Front Online.

Sipas tij, udhëzimi administrativ nuk zgjedh asgjë.

“Nuk e shoh si të suksesshëm udhëzimin, madje as zgjedhjet e reja në këtë klimë sepse serbët po duan t`i bojkotojnë zgjedhjet”, u shpreh Zeqiri për Front Online.

Pos Pecit dhe Zeqirit, pa postin e kryetarit mund të mbesin edhe Erden Atiq që drejton Mitrovicën e Veriut dhe Lulzim Hetemi, që udhëheq Leposaviqin.

Udhëzimi administrativ vetëm sa e shtyn këtë proces dhe e zvarrit situatën politike, thotë analisti Arbnor Sadiku.

“Nuk e deskalon situatën politike ne Veri, por, vetem e vazhdon status qoun politike atje, dhe pa mundëson shkarkimin e shpejtë të kryetarëve të komunave me legalitet, por pa legjitimitet qytetar në katër komunat serbe në Veri”, u shpreh Sadiku.

Edhe ky, sikurse kryetarët veriorë, anon për një ujdi.

“Problemet politike zgjidhen vetëm me marrëveshje politike midis Qeverisë dhe palës serbe, e jo me akte ligjore dhe nën ligjore”, theksoi Sadiku për Front Online.

Çka thuhet në udhëzim?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e këtyre nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja./Front Online/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img