Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian dhe Dialog, Besnik Bislimi tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke ndërmarrë hapa për t’i adresuar shkeljet e drejtave të pakicës shqiptarë në Serbi.
Këtë deklaratë Bislimi e ka bërë gjatë një takim me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, me të cilin diskutuan për pozitën e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët përjetojnë në Luginën e Preshevës.
“Në vend të krijimit të hapësirës së nevojshme institucionale për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve, Serbia po gjeneron pengesa dhe vështirësi për ta, duke i kufizuar në këtë mënyrë për shkak të përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në qëndrimin e këtij takimi njofton zyra e zëvendëskryeminisrit.
Ndërsa deputeti Kamberi ka paraqitur katër propozime që synojnë të krijojnë mekanizma ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Megjithatë, Parlamenti i Serbisë, sipas tij, refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë jashtë rendit të ditës.
“Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat; Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave; Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave; dhe Ndryshimin e Rregullores parlamentare”, ka deklaruar Kamberi.
Në fund të takimit thuhet se qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht në zgjidhjen e çështjes së licencimit të mjekëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët punojnë në Kosovë.