Ish-kryeministri socialist Fatos Nano, prej ditësh është në intubim në spital pasi i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike.
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike (SPOK, COPD) është një sëmundje (patologji) që prek mushkëritë dhe mund të parandalohet. Karakterizohet nga një ngushtim (obstruksion) i parikthyeshëm ose pjesërisht i rikthyeshëm i rrugëve ajrore.
Ky obstruksion zakonisht është progresiv dhe shoqërohet me një përgjigje inflamatore jo normale kronike të mushkërive kundrejt grimcave të pluhurit dhe/ose gazeve si psh: monoksidi i karbonit prezent në tymin e duhanit dhe dioksodi i karbonit që gjendet në ajrin e ndotur të ambientit që na rrethon.
SPOK-u është shkaktari i tretë i vdekjeve në të gjithë botën dhe shkaktari i dytë që akuzohet për invaliditet të plotë të pacientëve. Në vitin 2010 janë raportuar mbi tre milionë vdekje nga kjo sëmundje në rang botëror.
Në Shqipëri kjo patologji nuk njihet mirë dhe si rrjedhojë ngelet e padiagnostikuar dhe/ose e keqtrajtuar. Studimet tregojnë që vendi ynë ka një prevalencë të lartë të SPOK-ut, duke prekur përafërsisht 5-6% të popullatës.
Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundje?
Duhanpirja është shkaku kryesor dhe më i zakonshëm. Njihen edhe faktorë të tjerë ndër të cilët përmenden: ndotja e ambientit, defiçitet e α1-antitripsinës, mosha, dieta ushqimore dhe aktiviteti i pakët fizik.