-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Listat e pritjes së pacientëve i mbahen fshehtë Bordit të SHSKUK-së

Listat e gjata të pritjes së pacientëve janë diskutuar në mbledhjen e Bordit të SHSKUK-së. Në të u theksua se ka pasur mungesë qasjeje në të gjitha evidencat dhe është shtruar nevoja që menaxhmenti të ndërmarrë veprime për ta shkurtuar kohën e pritjes së pacientëve për të marrë shërbime. Por nuk u përcaktuan afate, brenda të cilave drejtorët duhet të ndërmarrin veprime

Në Bordin Drejtues të SHSKUK-së janë ankuar për informata të mangëta dhe jo të plota rreth listave të pacientëve në pritje për shërbime të ndryshme.

Gjatë një mbledhjeje të organizuar të enjten, në të cilën mediat nuk u lejuan të xhirojnë, anëtarë të Bordit theksuan se informatat mungojnë, ndonëse ato janë kërkuar nga të gjitha klinikat dhe spitalet rajonale.

Kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi, theksoi nevojën për raportim të të gjitha listave e edhe për digjitalizimin e tyre.

“Duhet të jetë obligim raportimi i listave të pritjes dhe digjitalizimi i tyre. Dhe në bazë të këtyre raporteve, menaxhmenti duhet të marrë veprime për të përmirësuar performancën, e nëse nuk merr veprime, ne marrim vendime për t’i zbatuar ato. Listat e pritjes përveçqë duhet të raportohen, duhet edhe një plan i veprimit për zbatim, deri në heqje të listave”, ka thënë Bardiqi.

Ai ka vlerësuar se lista e pritjes mund të shkurtohet edhe nëpërmjet stimulimit të stafit shëndetësor, duke i paguar mbi bazën e performancës.

Në mbledhje u prezantua edhe një model i vitit të kaluar për reduktim të listave të pritjes, në të cilin janë të përshkruara numri i rasteve në pritje, arsyet e pritjes dhe llojet e patologjive në pritje.

Kryesuesi dhe anëtarët e Bordit u pajtuan me këtë model, por shtruan nevojën për një plan zbatimi.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, kryesuesi Naim Bardiqi ka thënë se ndonëse janë pajtuar që të ndiqet metodologjia paraprake për hartimin dhe përditësimin e planit të veprimit që ka për qëllim zvogëlimin e listave të pritjes dhe eliminimin e tyre, intervenimet mund të jenë të karakterit afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë. Ai ka thënë se Bordi është në pritje të marrjes së veprimeve nga ana e menaxhmentit të SHSKUK-së.

“Intervenimet që duhet të bëhen janë në disa fusha që kërkojnë edukim të vazhdueshëm mjekësor e zhvillim të vazhdueshëm profesional, pajisje mjekësore e tjera. Neve presim nga menaxhmenti që sa më parë të hartojë planin e veprimit (plani i veprimit duhet konstuar dhe buxhetuar në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi), si dhe obligative do të jetë monitorimi dhe raportimi mbi progresin e zbatimit të planit të veprimit”, ka thënë Bardiqi.

E sa u përket pagesave për performancën, Bardiqi ka dhënë informacione mbi këtë aktivitet që, sipas tij, paraprakisht duhet të sigurohet për bazën ligjore.

“Sa u përket pagesave për performancë, ishte një konkluzion që SHSKUK duhet të sigurohet për bazën ligjore në radhë të parë, mandej duhet të përcaktohen indikatorët e performancës për secilën njësi organizative. Një aktivitet i tillë duhet t’i paraprijë edhe zbatimit të Ligjit për sigurimet shëndetësore, si dhe aplikimi i të ashtuquajturave DRG (Diagnostic related group) për faturimin dhe pagesat e shërbimeve shëndetësore që do të aplikohen nga ofruesi i shërbimeve në njërën anë dhe nga FSSh-ja në anën tjetër”, ka thënë ai.

KOHA në vazhdimësi ka raportuar për fletoret që përmbajnë evidencat për radhët e pacientëve në pritje në klinikat e QKUK-së, edhe për intervenime serioze.

Pacientët e Klinikës së Ortopedisë presin afro pesë vjet për vendosjen e protezave në gjymtyrë. Lista të gjata janë të regjistruara edhe në Klinikën e Kardiokirurgjisë për procedura invazive, atë të Kirurgjisë Vaskulare, ORL-së e Oftalmologjisë.

Në pjesën e parë të mbledhjes së Bordit Drejtues ka qenë prezent edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i cili bëri të ditur se është formuar një komision i brendshëm për monitorimin e respektimit të orarit të punës, si dhe të kodit të veshjes e sjelljes së profesionistëve shëndetësorë.

Ai tha të ketë realizuar vizita të paparalajmëruara në terren me qëllim të evidentmit të parregullsive.

“Njëkohësisht janë duke u monitoruar edhe këto lokalet që janë përreth për sa i takon daljes së stafit shëndetësor me uniforma dhe në mënyrë të parregullt në to. Janë kryer edhe vizita nëpër klinika edhe pas orarit të rregullt. Ajo që është vërejtur është që stafi shëndetëso kryesor është në vendin e punës dhe ofron shërbimet me kohë. Porse është vërejtur se ka probleme sa i përket infrastrukturës”, ka thënë Azizi.

Ai bëri të ditur se vizita të tilla janë realizuar në Klinikën Emergjente dhe në atë të Kardiologjisë.

Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe ndalimi i lëvizjes së profesionistëve shëndetësorë me uniforma në oborr të QKUK-së dhe në lokalet pranë, veç të tjerash edhe si masë parandaluese e përhapjes së infeksioneve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img