Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me vendimin për subvencionimin e teksteve shkollore për fëmijët.
Ajo tha se ekzekutivit e kishte anuluar tenderin për librat shkollorë në vlerë prej 4.8 milionë eurove kurse tash sipas saj janë duke i thënë 6 milionë për produktin e njëjtë.
Kica-Xhelili u shpreh se me vendimin për subvencionim prindërit po paguajnë më shtrenjtë për libra.
“Anuluan tender me 4.8 milion për librat shkollorë. Sot japin 6 milion për PO atë produkt. Nga dikur 8 milion në 13 si total, po kamuflojnë koston shtesë kinse në emër të materialeve tjera shkollore, sepse u dëshmua që librat po u kushtojnë prindërve më shtrenjtë se kur i kontraktonte ministria me tender.
Sipas saj Qeveria i thoshte bizneseve se po i zhvasin paratë publike me tender po i japin “sërish të holla” me kosto shtesë.
“Domethënë, atyre bizneseve që dikur thonin “po zhvatin para publike” me tender, përmes subvencionimit po u japin sërish të holla, veçse me kosto shtesë. Por, duke i demonizuar po ato biznese. Domethënë JU bleni te ata por NE nuk blejmë, veç ua japin të hollat me ndërmjetës. Pak më shumë besa, por s’ka gjë. E shesim ndërkohë si sukses”, tha ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje i sheh qytetarët e Kosovës si analfabetë.
“Me shumë gjasë, e kanë shumë seriozisht konceptin “40% janë analfabet funksional”. E kanë thënë. E kanë shkruar. E mendojnë. Llogarisin në këtë. Ndryshe nuk kuptohen veprimet e tyre”, tha ajo.