4.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022.

Pavarësisht se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, auditimi konstatoi se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.

Sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, shqyrtimin e rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe në regjistrimin e rasteve të raportuara. Po ashtu viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik, si dhe mungojnë programet për trajtimin e kryerësve të veprave.

Procesi i auditimit identifikoi mangësi edhe në angazhimin adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit. Gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente, policia reagon në kohë optimale, porse ka dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë e procedurave për monitorimin e urdhrave mbrojtës, mos përcjellje e informatës te mbrojtësit e viktimave si dhe dobësi në regjistrimin e rasteve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se gjykatat me vonesë i trajtojnë rastet e dhunës në

familje. Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit. Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje.

Zyra Kombëtare e Auditimit, Departamenti për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se është e domosdoshme rritja e angazhimit institucional për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe shpërndarja adekuate e burimeve. Zonja Spanca tha se zhvillimi i programeve gjithëpërfshirëse për rehabilitimin e viktimave, duke përfshirë mbështetjen psikologjike dhe kompensimet materiale është me rëndësi jetike. Me përpjekje të vazhdueshme dhe angazhime për ndryshim, institucionet përgjegjëse mund të krijojnë mjedis të atillë ku viktimat e dhunës në familje mbrohen, rehabilitohen dhe fuqizohen, duke kontribuar kështu në çrrënjosjen e dhunës në familje dhe në shoqëri.

Me qëllim të përmirësimit të sistemit shtetëror për mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje, ZKA dha gjithsej 19 rekomandime. Ndër këto, tri për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” e gjeni këtu.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img