Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila paralajmëroi ndërprerje të dialogut me Serbinë, nëse Kosovës i hiqet liberalizimi i vizave.
Çitaku tha se përmbyllja e suksesshme e dialogut me Serbinë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, është interes shtetëror I Kosovës.
“Interes shtetëror i Kosovës është kultivimi i aleancave me SHBA dhe BE. Çdo gjë tjetër është rrugë pa krye”, tha Çitaku, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Çitaku tha se status quoja i shërben vetëm Serbisë dhe forcave tjera rrënuese që sipas saj, po synojnë ta devijojnë orientimin strategjik të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.
Kujtojmë se e para e shtetit tha sot se paralajmërimi i presidentit francez, Emmanuel Macron, se Kosovës mund t’i hiqet liberalizimi i vizave nëse nuk shtensionohet situata në veri, do të çonte në mbyllje përfundimtare të dialogut.