Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë që çështja e të zhdukurve të luftës është një dhimbje pafund për popullin e Kosovës.
“Kjo për popullin tonë po është një dhimbje që nuk po përfundon kurrë dhe një mungesë e drejtësisë për familjet dhe për gjithë popullin tonë të cilëve Serbia ua zhduku me dhunë më të dashuritë tyre dhe me vetë faktin që këtyre viteve të fundit në shumë lokacione të Serbisë u gjendën trupat e më të dashurve tanë si në Peruqac, si në Rudnicë, si në Kizhevak, tregon që harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia”, ka thënë Konjufca.
“E po ashtu Serbia është edhe shteti ku ndodhen kriminelët të cilët i kanë kryer këto krime njëkohësisht”.
Konjufca tha se nevojitet t’i bëhet trysni më e madhe Serbisë e cila është përgjegjëse për mijëra të zhdukur me dhunë.
“Ne çka duhet të bëjmë është që t’i marrim të gjitha masat që janë në dorën e institucioneve të Kosovës ashtu që të sigurohemi se edhe bashkësia evropiane, edhe unioni evropian, edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm të vendimmarrjes vetëdijesohen se ka nevojë për një trysni më të madhe”.
“Me Aleksandër Vuçiqin në institucionet e Serbisë që t’i hapin arkivat e tyre, siç tha edhe presidentja, ashtu që të zbardhet e vërteta për mijëra të zhdukur me dhunë për të cilët përgjegjëse pa dyshim që kanë qenë ushtria e Serbisë, policia e Serbisë dhe formacionet paramilitare të cilat janë kontrolluar totalisht nga shteti i Serbisë”.