Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar të dielën në rrugën “Epiri’ në Prishtinë, pasi një njësi e Antidrogës që po patrullonte në atë pjesë ka ndalur për kontroll një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, te i dyshuari P.A., është gjetur një sprej, që i dyshuari e mbante kundërligjshëm.
Spreji është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“