Rreth 7 mijë maturantë i janë nënshtruar testit të maturës në afatin e dytë që është mbajtur sot (e shtunë). Ministria e Arsimit (MASHTI) e vlerësoi procesin si të rregullt, ndërsa u shpreh se në 69 qendra nuk janë shfaqur probleme. Megjithatë, sikurse në afatin e qershorit, ashtu edhe në atë të gushtit, numri i maturantëve që i nënshtrohen testit është i ulët, me nxënësit që shmangin provimin që teston njohuritë e fituara në arsimin parauniversitar.
Zyrtari i lartë për vlerësim në MASHTI, Afrim Rrahmani, deklaroi për KosovaPress se në bazë të raporteve nuk ka pasur ndonjë problem dhe se testi i maturës ka përfunduar sipas rregullave të parapara.
Rrahmani pranoi se edhe këtë vit ka pasur rrjedhje të testit në rrjetet sociale, por sipas tij, një analizë më e detajuar do të bëhet të hënën.
Po në fillim të javës së ardhshme do të kuptohet qartë nëse ka pasur nxënës e monitorues që e kanë shkelur rregullat, e ndaj të cilëve paralajmërohen ndëshkime.
Rrahmani deklaroi për KosovaPress se numri i atyre që i janë nënshtruar testit të maturës nuk përkon me numrin në total të maturantëve. Sipas tij, nxënësit po heqin dorë nga studimet për të vijuar me punë.
Këtë fakt ai e sheh pozitiv dhe vetëdijesim nga nxënësit.
Pragu i kalueshmërisë në testin e maturës është 40% e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Testi ka pasur gjithsej 100 pyetje apo detyra nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira. Në test janë përfshirë tri lëndë obligative, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë dhe një lëndë zgjedhore që është përzgjedhur nga vet kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që i janë ofruar. /KP