-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Edhe pas afro tre muajsh, Gjykata ende s’e ka përpiluar aktgjykimin ndaj ish-ministrit Nenad Rikalo dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe pas më shumë se dy muaj e gjysmë ende nuk ka arritur të përpilojë aktgjykimin me shkrim në çështjen penale ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Lidhur me këtë rast, më 1 qershor 2023 ishte bërë shpallja e aktgjykimit ku ishin dënuar me tri vite burgim ish-ministri Rikalo dhe me dy vite e gjashtë muaj burgim ish-sekretari Halimi, kurse u liruan nga akuza Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.


Të kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i ish-ministrit Rikalo, avokati Miodrag Brkljaq dhe mbrojtësja e të liruarit nga kjo akuzë Leon Thaçi, avokatja Fehmie Gashi-Bytyqi, deklaruan se nuk kanë pranuar aktgjykimin.

Po ashtu, për “Betimi për Drejtësi” edhe prokurorja e rastit Habibe Salihu ka konfirmuar se ende nuk ka pranuar me shkrim aktgjykimin në fjalë.


Ndryshe, i ngarkuar me gjykimin e kësaj çështje penale kanë qenë gjykatësit nga Departamenti Speciale me kryetar të trupit gjykues, gjykatësin Mentor Bajraktari dhe anëtarë gjykatësit, Suzana Çerkini dhe Violeta Namani.

Lidhur me mospërpilimin e aktgjykimit, gjykatësi Bajraktari ka sqaruar për “Betimi për Drejtësi” se ka kërkuar afat shtesë nga kryetarja e Gjykatës, për faktin se lënda është voluminoze dhe i duhet ende kohë për përpilimin e tij.

Sa i përket afateve kohore për përpilimin e aktgjykimit bazuar në Kodin e Procedurës Penale, në nenin 368, pika 1 thuhet se gjykatësi i vetëm ose kryetari i trupit gjykues është i obliguar që në afat prej 15 ditësh nga dita e shpalljes së aktgjykimit ta përpilojë të njëjtin.

Mirëpo, ky Kod ka paraparë edhe afatin shtesë për përpilim të aktgjykimit që mund ta kërkojë gjykatësi i vetëm ose kryetari i trupit gjykues prej 60 ditësh pas shpalljes së aktgjykimit, e që në rastin konkret del se është tejkaluar edhe afati shtesë prej 60 ditësh.

Krejt kjo pasi që shpallja e aktgjykimit në këtë rast, është bërë me 1 qershor 2023 dhe deri me ditën e shtunë të 26 gushtit 2023 kanë kaluar 86 ditë dhe ende aktgjykimi në rastin konkret nuk është përpiluar dhe si afat i fundit për përpilimin e aktgjykimit del të ishte data 31 korrik 2023.

“1. Aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga shpallja e tij, kur i akuzuari gjendet në paraburgim ose i është caktuar paraburgimi, ndërsa në raste të tjera brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e shpalljes. Kur rasti është i ndërlikuar, siç është përkufizuar në nenin 19 nën paragrafin 1.2 të këtij Kodi, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga kryetari i gjykatës që të zgjasë afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në gjashtëdhjetë (60) ditë nga shpallja e tij. Anëtari i trupit gjykues mund të jep mendim të ndarë, mospajtues ose pajtues për çështjet juridike ose faktike dhe mendimi i tillë i bashkëngjitet aktgjykimit”, thuhet në nenin 368, pika 1 e Kodit të Procedurës Penale të vitit 2022.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img